Mbi 800 zyrtarë evropianë e amerikanë me deklaratë kundër politikave për luftën në Gaza - NACIONALE

Mbi 800 zyrtarë evropianë e amerikanë me deklaratë kundër politikave për luftën në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 800 zyrtarë në ShBA e Evropë kanë nënshkruar një deklaratë në të cilën paralajmërojnë se politikat e qeverive të tyre ndaj luftës Izrael – Hamas në Gaza mund të përbëjnë “shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare”.

“deklaratën transatlantike” thuhet se administratat e këtyre zyrtarëve rrezikojnë që të jenë bashkëfajtore në “njërën nga katastrofat më të këqija humanitare të këtij shekulli”, por se këshillat e tyre prej ekspertësh janë lënë anash, raporton televizioni BBC.

Kjo është shenja më e re e nivelit të konsiderueshëm të pakënaqësisë brenda qeverive të disa aleatëve kyçë të Izraelit.

Njëri nga zyrtarët që e kanë nënshkruar letrën, zyrtar i qeverisë amerikane me mbi 25 vjet përvojë në fushën e sigurisë kombëtare, i tregoi BBC-së për “shpërfilljen e vazhdueshme” të shqetësimeve të tyre.

“Zërat e atyre që i kuptojnë rajonin dhe dinamikat nuk janë dëgjuar. Ajo që është vërtet ndryshe këtu, është që ne nuk po dështojmë që të parandalojmë diçka, ne jemi aktivisht bashkëfajtorë. Kjo është në mënyrë themelore ndryshe nga cilado gjendje tjetër që mund të më kujtohet” – shtoi zyrtari amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.

Deklarata është nënshkruar nga shërbyes civilë nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja e 11 shtete evropiane, përfshirë Gjermaninë, Francën e Britaninë e Madhe.

Në të thuhet se Izraeli “nuk ka shfaqur kufij” gjatë operacioneve ushtarake të tij në Gaza, “që ka rezultuar në dhjetëra mijëra vdekje të parandalueshme civile; dhe... bllokimin e qëllimshëm të ndihmave... duke vënë mijëra civilë në rrezik nga vdekja nga uria e nga vdekja e ngadalshme”.

“Është një rrezik i besueshëm që politikat e qeverive tona janë duke kontribuuar në shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare, krime lufte dhe madje spastrim etnik ose gjenocid” – thuhet më tej në deklaratën e nënshkruar nga qindra zyrtarë perëndimorë.

Identiteti i zyrtarëve që e kanë nënshkruar ose që e kanë përkrahur deklaratën nuk është bërë publik dhe televizioni BBC nuk ka parë ndonjë listë të emrave, por merr vesh se gati gjysma janë zyrtarë që secili ka të paktën nga një dekadë përvojë në qeverisje.

Një ambasador amerikan i dalë në pension i tha televizionit BBC se bashkërendimi i shërbyesve të pakënaqur civil në shumë qeveri është i pashembullt.

“Është unike në përvojën time duke e shikuar politikën e jashtme në 40 vitet e fundit” – tha Robert Ford, ish-ambasador i ShBA-së në Algjeri dhe Siri.

Ai e krahasoi këtë kundërshtim me shqetësimet brenda administratës amerikane më 2003 rreth të dhënave me të meta të inteligjencës që kishin çuar te pushtimi i Irakut, por shtoi se kësaj radhe, shumë zyrtarë me rezerva nuk duan që të qëndrojnë të heshtur.

“Problemet me luftën e Gazës janë aq serioze dhe ndërlikimet janë aq serioze, saqë ata [zyrtarët që e kanë nënshkruar deklaratën] ndihen të detyruar që të dalin publikisht [kundër politikave qeveritare]” – vlerësoi ish-diplomati amerikan.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme