Mbi 400 të vrarë në sulmet e fundit nga rebelët në Sudan, vlerëson OKB-ja
Më shumë se 400 njerëz janë vrarë në sulmet e fundit që janë kryer nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), grup paramilitar që po lufton kundër ushtrisë sudaneze, në rajonin Darfur të Sudanit, thanë Kombet e Bashkuara, duke cituar “burime të besueshme”.
Javën e kaluar, RSF-ja nisi një sulm intensiv tokësor dhe ajror ndaj kampeve të refugjatëve që e rrethojnë qytetin El-Fesher në përpjekje për ta marrë nën kontroll kryeqytetin e fundit rajonal në Darfur, që mbahet ende nga ushtria sudaneze, raporton televizioni BBC.
Dy palët ndërluftuese janë përfshirë në një përplasje të përgjakshme për pushtet që nga prilli i vitit 2023. Kjo e ka krijuar krizën më të madhe humanitare në botë dhe ka detyruar miliona njerëz që të largohen nga shtëpitë e tyre.
OKB-ja tha se ka vërtetuar 148 vrasje mes së enjtes dhe të shtunës, por paralajmëroi se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë do të mblidhen në Londër më vonë për të diskutuar rreth luftës së vazhdueshme civile në Sudan në përvjetorin e dytë të fillimit të konfliktit.
Zëdhënësja e OKB-së, Ravina Shamdasani, i tha televizionit BBC se procesi i tyre verifikues ishte duke vazhduar akoma dhe se në numrin e të vrarëve nuk përfshihej dhuna e së dielës.
“Burime të besueshme janë raportuar për më shumë se 400 të vrarë”- tha ajo. Sipas OKB-së, të paktën nëntë punëtorë të ndihmave humanitare ishin në mesin e viktimave.
Kampet e refugjatëve që e rrethojnë qytetin El-Fesher – “Zamzam” dhe “Abu Shouk” – ofrojnë strehim të përkohshëm për më shumë se 700 mijë njerëz, shumë prej të cilëve po ballafaqohen me kushte të urisë ekstreme.
Në një deklaratë të publikuar të dielën, RSF-ja tha se nuk është përgjegjëse për sulmet ndaj civilëve dhe se skenat e vrasjeve në Zamzam ishin të inskenuara për t’i diskredituar forcat e saj.
Të nesërmen, grupi paramilitar tha se kishte kompletuar një “çlirim të suksesshëm” të kampit nga ushtria sudaneze. RSF-ja e akuzoi ushtrinë për përdorim të kampit “Zamzam” si “baraka ushtarake, ndërsa civilët e pafajshëm si mburoja njerëzore”./Nacionale