Mbi 200 punonjës të BE-së të shqetësuar për reagimin e bllokut ndaj krizës në Gaza - NACIONALE

Mbi 200 punonjës të BE-së të shqetësuar për reagimin e bllokut ndaj krizës në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më shumë se 200 pjesëtarë të stafit të institucioneve dhe agjencive të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër me të cilën kanë shprehur “shqetësim në rritje” rreth reagimit të bllokut ndaj krizës humanitare në Gaza, duke argumentuar se reagimi i BE-së bie ndesh me vlerat kyçe të saj dhe me qëllimin për ta promovuar paqen.

Letra e nënshkruar nga 211 persona në emrat e tyre personalë si qytetarë dhe e drejtuar ndaj tre zyrtarëve më të lartë të BE-së, fillon duke i dënuar sulmet e 7 tetorit në Izrael “në termat më të fuqishëm”, raporton gazeta “The Guardian”.

Duke përmendur një vlerësim të janarit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që sugjeronte një rrezik të besueshëm ndaj palestinezëve sipas Konventës së Gjenocidit, përmes kësaj letre paralajmërohet se “apatia e vazhduar [e BE-së] ndaj gjendjes së vështirë të Palestinezëve” rrezikon që të normalizojë një rend botëror ku përdorimi i dukshëm i forcës, para një sistemi të mbështetur në rregulla, i përcakton sigurinë shtetërore, integritetin territorial dhe pavarësinë politike.

“Ishte saktësisht që të shmangej një rend i tillë botëror i zymtë që stërgjyshërit tanë, dëshmitarë të tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, e krijuan Evropën” – thuhet në letrën e punonjësve të BE-së. “Të rrish duarkryq përballë një erozioni të tillë të sundimit ndërkombëtar të ligjit do ta nënkuptonte dështimin e projektit evropian siç ishte parashikuar nga ta. Kjo nuk mund të ndodhë në emrin tonë” – thanë më tej qindra punonjësit e stafit të Bashkimit Evropian.

Letra e ndarë në mënyrë ekskluzive me gazetën “The Guardian” u shkrua nga një grup i vogël i punonjësve, tha Zeno Benetti, njëri nga organizatorët.

“Ne nuk mund të besonim që udhëheqësit tanë, të cilët ishin aq të zëshëm për të drejtat e njeriut dhe të cilët e përshkruanin Evropën si fener të të drejtave të njeriut, ishin papritmas aq të heshtur për krizën që po shpalosej në Gaza” – tha ai.

“Është sikur neve papritmas na u kërkua që t’i mbyllnim sytë para vlerave tona dhe për vlerat për të cilat gjoja po punonim dhe, për ne, kjo nuk ishte e pranueshme” – shtoi Benetti.

Organizatorët kishin shpresuar se do të siguronin 100 nënshkrime, shifër që u tejkalua shpejt me përhapjen e lajmit për ekzistimin e nismës. Në një version të letrës që u publikua të premten nuk përfshihen emrat e personave që e kanë nënshkruar atë, sepse u ishte premtuar konfidencialitet nga organizatorët.

Lajme të ngjashme