Mbi 100 ish-zyrtarë republikanë dalin kundër Trumpit, e përkrahin Harrisin për presidente
Më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të mërkurën e përkrahën demokraten Kamala Harris për presidente të ShBA-së. Përmes një letre publike, ata e cilësuan kandidatin republikan për president, Donald Trump, “të papërshtatshëm për të shërbyer” në një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë.
Ish-zyrtarë të administrative të ish-presidentëve republikanë, Ronald Reagan, George H W Bush, George W Bush dhe Donald Trump, si dhe të ish-presidentëve demokratë, Bill Clinton e Barack Obama, e shprehën mbështetjen e tyre për zonjën Harris për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Atyre iu bashkuan disa kongresistë republikanë, raporton gazeta “The Guardian”.
Në letrën e tyre thuhet: “Ne besojmë se presidenti i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë një udhëheqës parimor, serioz dhe i qëndrueshëm.”
“Ne presim që të mos pajtohemi me Kamala Harrisin për shumë çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme, por ne besojmë që ajo i posedon cilësitë thelbësore për të shërbyer si presidente, e Donald Trumpi jo. Prandaj, ne e përkrahim zgjedhjen e saj që të bëhet presidente” – thuhet më tej në letrën e ish-zyrtarëve dhe të disa kongresistëve.
Në mesin e figurave që e kanë nënshkruar letrën janë ish-sekretarët e Mbrojtjes, William Cohen e Chuck Hagel, që kanë shërbyer në administratat e Clintonit dhe Obamës. Letrën e ka nënshkruar edhe ish-drejtori i CIA-s dhe FBI-së në administratën e Reaganit, William Webster.
“Ne në mënyrë të vendosur e kundërshtojmë zgjedhjen e Donald Trumpit. Si president, ai e promovoi kaosin e përditshëm në qeveri, i çmoi armiqtë tanë dhe i minoi aleatët tanë, e politizoi ushtrinë dhe i përçmoi veteranët tanë, e bëri prioritet interesin e tij personal mbi interesat amerikane dhe i tradhtoi vlerat tona, demokracinë dhe dokumentin themeltar të këtij vendi” – thanë nënshkruesit e letrës./Nacionale