Mbahet parada e madhe e ushtrisë polake - NACIONALE

Mbahet parada e madhe e ushtrisë polake

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Parada më e madhe ushtarake e Polonisë që nga Lufta e Ftohtë po mbahet të martën në Varshavë. Ushtria polake po e tregon forcën në kohën kur qeveria shpreson se kjo do të shërbejë edhe si mesazh për Rusinë, edhe për votuesit para zgjedhjeve të tetorit.

Pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë fuqizimin e ushtrisë prioritet për partinë Ligj dhe Drejtësi në pushtet. Kur fushata zgjedhore tashmë ka nisur, shfaqja e armatimit në publik ofron mundësi për ta përmirësuar imazhin e politikave të sigurisë.

Në paradën e Ditës së Forcave të Armatosura, që u mbajt në 103-vjetorin e fitores së Polonisë kundër Bashkimit Sovjetik në Betejën e Varshavës, parakaluan dy mijë ushtarë nga Polonia dhe nga vende të tjera të NATO-s, të shoqëruar nga 200 pajisje ushtarake e 92 aeroplanë, raporton agjencia “Reuters”.

“15 Gushti nuk është vetëm një mundësi për t’i nderuar heronjtë e Betejës fitimatre të Varshavës dhe për t’i falënderuar ushtarët bashkëkohorë për mbrojtjen e atdheut tonë. Është edhe një ditë e përsosur për ta treguar fuqinë tonë, për të treguar se kemi ndërtuar forca të armatosura të fuqishme që do t’i mbrojnë në mënyrë efektive kufijtë tanë pa ngurrim”- tha ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak, para ushtarëve dhe qytetarëve të tjerë që ishin mbledhur për paradën afër Lumit Vistula.

Partia në pushtet, e cila e udhëheq vendin nga viti 2015, është zotuar për ta dyfishuar madhësinë e ushtrisë dhe për të shpenzuar rreth 4 për qind të prodhimit vendës bruto në fushën e mbrojtjes këtë vit.

Presidenti i vendit, Andrzej Duda, tha: “Tetë vitet e fundit kanë qenë kohë për rindërtimin e ushtrisë polake. Më parë e kishim gjendjen e kundërt, zvogëlim të madhësisë së forcave të armatosura polake.”

Lajme të ngjashme