“Maxar”: Tre aeroplanë luftarakë rusë u shkatërruan në Krime nga sulmi ukrainas - NACIONALE

“Maxar”: Tre aeroplanë luftarakë rusë u shkatërruan në Krime nga sulmi ukrainas

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm ukrainas me rreze të gjatë ndaj bazës ajrore “Belbek” në Krimenë e pushtuar shkatërroi tre aeroplanë luftarakë rusë dhe një depo nafte afër pistës kryesore këtë javë, sipas kompanisë amerikane për vëzhgime satelitore, “Maxar”.

Kjo kompani i përmendi pamjet satelitore të shkrepura të enjten, duke thënë se në to shfaqen dy aeroplanë luftarakë të tipit MiG-31 dhe një tjetër i tipit Su-27 që janë shkatërruar. Më tej, kompania amerikane tha se edhe një aeroplan luftarak i tipit MiG-29 duket se është dëmtuar.

Ukraina nuk e ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin ndaj kësaj baze ajrore, raporton agjencia “Reuters”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të enjten se Ukraina kishte organizuar gjatë natës një sulm ndaj Krimesë dhe se forcat ruse të mbrojtjes ajrore kishin penguar pesë raketa me rreze të gjatë, të njohura si ATACMS.

Të mërkurën, kjo ministri tha se Rusia kishte penguar 10 raketa me rreze të gjatë të këtij sistemi amerikan, gjithashtu të hedhura drejt Krimesë.

Ukraina gjithnjë më shumë ka përdorur dronë e raketa me rreze të gjatë për të goditur caqe strategjike larg vijës së frontit, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin trupat ruse e kanë aneksuar në vitin 2014.

Lajme të ngjashme