Macroni pranon se Franca dhe aleatët do të mund ta ndalnin gjenocidin e Ruandës
Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten se Franca dhe aleatët e saj do të mund ta ndalnin gjenocidin e Ruandës më 1994, por u mungonte vullneti për ta bërë këtë. Kjo deklaratë e fuqishme erdhi para 30-vjetorit të masakrave që lanë mbi 800 mijë të vrarë.
Zyra e Macronit tha në një deklaratë se presidenti francez do të publikojë një video në rrjete sociale të dielën, përderisa Ruanda e shënon përvjetorin e gjenocidit, raporton agjencia “Associated Press”.
Në video, Macroni thotë: “Francës, që do të mund ta kishte ndalur gjenocidin me aleatët e saj perëndimorë dhe afrikanë, i mungoi vullneti për ta bërë këtë.”
Në vitin 2021, gjatë një vizite në shtetin afrikan, Macroni e kishte pranuar “përgjegjësinë” e Francës në gjenocidin me mbi 800 mijë të vdekur, kryesisht pjesëtarë të grupit etnik Tutsi dhe të grupit Hutu që u munduan t’i mbronin ata.
Macroni nuk kishte kërkuar falje, por presidenti i Ruandës, Paul Kagame, kishte sinjalizuar se një faqe e re ishte shpalosur në lidhjet mes dy vendeve, pas një vargu të përpjekjeve franceze për t’i përmirësuar marrëdhëniet.
Qeveria e Ruandës për një kohë të gjatë e ka akuzuar Francën për “mundësimin” e gjenocidit.
Që nga ardhja në pushtet për herë të parë më 2017, Macroni ka autorizuar një raport për rolin e Francës para dhe gjatë gjenocidit dhe ka vendosur që t’i hapë arkivat e vendit për publikun për atë periudhë kohore.
Në videon që do të publikohet të dielën, Macroni do të sjellë ndër mend se kur kishte nisur gjenocidi, “komuniteti ndërkombëtar i kishte mjetet për të ditur dhe për të ndërmarrë veprime” duke u mbështetur në njohuritë për gjenocidet që ishin rrëfyer nga të mbijetuarit e gjenocidit armen dhe Holokaustit, tha zyra e tij.