Macroni i mbledh udhëheqësit evropianë për samitin rreth Ukrainës në kohën e tensioneve me ShBA-në
Përplasja e papritur transatlatnike rreth Ukrainës do të dalë në pah të hënën, kur zyrtarë amerikanë do të fillojnë bisedime preliminare në Arabinë Saudite me homologë rusë për arritjen e një armëpushimi, përderisa presidenti francez, Emmanuel Macron, organizon një samit në Paris për të kërkuar që ShBA-ja t’i japë fund përjashtimit të Evropës dhe të Ukrainës nga ky proces.
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë i paraprijnë një takimi të planifikuar për këtë javë mes kryediplomatëve të të dyja vendeve, Marco Rubio e Sergei Lavrov, takimi i parë i këtij niveli mes dy superfuqive në më shumë se dy vjet. Në Evropë ka frikë se Rusia, përmes bisedimeve me ShBA-në, do ta rinisë planin e saj për neutralitet të imponuar të Ukrainës dhe për një ndarje të përbashkët ShBA – Rusi të sferave të ndikimit, raporton gazeta “The Guardian”.
Me takimin në Paris do të synohet që të përvijohet një plan evropian i veprimit pas disa ditëve kaotike me njoftime nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump. Në këtë samit do të duhet gjithashtu që të vendoset se si t’i jepet përgjigje një kërkese të ShBA-së për të deklaruar nëse udhëheqësit janë të përgatitur për t’u zotuar për dërgimin e trupave në një forcë për stabilizim në rast të arritjes së armëpushimit.
Në samit do të marrin pjesë kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Franca është e vendosur që Mbretëria e Bashkuar të jetë e përfshirë ngushtë në të gjitha diskutimet e ardhshme për Ukrainën.
Qeveria britanike tha se beson që Starmeri mund të luajë rol qendror në garantimin e së ardhmes së Ukrainës përmes përçimit të paralajmërimeve të Evropës kundër një ndarjeje të mundshme të Ukrainës me marrëveshje mes ShBA-së e Rusisë drejtpërdrejt te presidenti Trump, kur britaniku ta vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke folur në një intervistë nga Konferenca e Sigurisë në Munih, tha se ai dyshon që homologu rus, Vladimir Putin, është i përgatitur për të bërë koncesione dhe e përsëriti pretendimin e tij se Rusia është duke planifikuar një sulm ndaj vendeve të NATO-s vitin e ardhshëm.
Duke e konfirmuar takimin në Paris, kryediplomati francez, Jean-Noël Barrot, të dielën tha: “Presidenti do t’i bëjë bashkë nesër shtetet kryesore evropiane për diskutime rreth sigurisë evropiane.” Sipas ministrit të Jashtëm të Francës, tani për tani po fryn një erë e unitetit.
Burimet diplomatike evropiane thanë se në samitin e së hënës pasdite do të përfshihen edhe Italia e Danimarka, si dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen./Nacionale/Nasuf Abdyli