Macroni dëshiron që aborti të bëhet e drejtë në nivel të BE-së
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten se ai dëshiron që Bashkimi Evropian ta garantojë të drejtën për abort në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore.
Macroni po fliste në një ceremoni që u zhvillua në Paris, ku ministri i Drejtësisë i Francës, Eric Dupond-Moretti, përdori një pajisje të vjetër me shekuj për ta vulosur të drejtën për abort në kushtetutën franceze, pas një votimi me përkrahje dërrmues nga deputetët të hënën, raporton agjencia “Reuters”.
“Sot nuk është fundi i tregimit, por fillimi i një lufte” – tha presidenti francez në ceremoninë që ra në Ditën Ndërkombëtare të Grave.
“Ne do ta udhëheqim këtë luftë në kontinentin tonë, në Evropën tonë, ku forcat reaksionare po i sulmojnë të drejtat e grave para se t’i sulmojnë të drejtat e pakicave” – tha ai para turmës që mori pjesë në ceremoninë në Paris, përballë Ministrisë së Drejtësisë.
“Për këtë arsye, unë dua që ta ruaj atë liri të garantuar për abort në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian” – tha më tej Macroni.
Megjithatë, ndryshimi i Kartës së BE-së, që do të kërkonte pajtim të njëzëshëm, mund të jetë i vështirë. Përderisa shumica e Evropës e ka legalizuar abortin, disa shtete u vendosin kufizime grave që synojnë t’i japin fund shtatzënësisë dhe ende ka përçarje të thella rreth të drejtave për abort.
Vitin e kaluar, Qeveria e Maltës, shtet i BE-së, u spraps nga një projektligj që do ta kishte lejuar abortimin e shtatzënësive kur shëndeti i nënës do të ishte në rrezik, duke thënë se ai do të lejohet vetëm kur jeta e nënës të jetë në rrezik.
Përpos Maltës, ligjet kundër abortit në Poloni janë në mesin e më të ashprave në Evropë.
Të drejtat për abort janë më gjerësisht të pranueshme në Francë se në Shtetet e Bashkuara e se në shumë vende të tjera. Sipas anketave, rreth 80 për qind e francezëve e mbështetin faktin se aborti është i ligjshëm.