Macron pas fitores: Unë jam presidenti i të gjithëve
Macron ka nisur fjalimin e tij pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve, duke falenderuar të gjithë ata që votuan për të dhe thotë se është i vetëdijshëm që shumë e votuan për të bllokuar të djathtën ekstreme.
Ai tha se i mendon edhe ata që nuk dolën në zgjedhje e edhe përkrahësit e Le Pen, të cilët sot janë zhgënjyer duke kërkuar nga përkrahësit e tij që të mos i ngacmojnë ata.
“Që tani e tutje, unë nuk jam më kandidat i një partie, por president i të gjithëve. Unë u them atyre që votuan për të djathtën ekstreme se përgjegjësia ime dhe e ekipit tim do të jetë të adresoj edhe shqetësimet e tyre."
Ai tha se "do të punoj për një shoqëri më të drejtë dhe barazi mes burrave dhe grave," duke shtuar se askush nuk duhet të lihet anash.
“Ne duhet të tregojmë respekt sepse vendi ynë është kaq i ndarë... askush nuk do të lihet anash” .
Presidenti gjithashtu tha se "epoka e re nuk do të vazhdojë me metodat e pesë viteve të fundit", duke shtuar se lufta e Ukrainës është tregues se po jetojmë në kohë tragjike dhe se Franca duhet të ndërtojë forcat e saj.
Macron e mbylli fjalën e tij duke thënë se është krenar që sërish do t'i shërbejë popullit francez.
Sipas një analize të të dhënave të votimit nga anketuesit Ipsos & Sopra Steria, Macron parashikohet të marrë 58.2% të votave, duke u bërë lideri i parë francez që rizgjedhet në 20 vjet.