Lukashenko thotë se Bjellorusia e Rusia po e ushtrojnë hedhjen e armëve bërthamore taktike
Rusia dhe Bjellorusia po bëjnë ushtrime për hedhje të armëve bërhtamore taktike ruse si pjesë e ushtrimeve të përbashkëta ushtarake, tha të martën presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko.
Mediat shtetërore e cituan presidentin të ketë thënë se në ushtrime përfshihet edhe raketa hipersonike “Oreshnik” e Rusisë, e cila u përdor vitin e kaluar në luftën me Ukrainën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia dhe Bjellorusia po mbajnë ushtrim të përbashkët ushtarak 5-ditor, të cilin po e quajnë “Zapad” (“Perëndimi”), si shfaqje e forcës për të cilën thonë se e ka për qëllim testimin e gatishmërisë, por që ka shkaktuar shqetësim në disa shtete të tjera, duke e marrë parasysh faktin se lufta në Ukrainë po vazhdon.
Lukashenko citohet të ketë thënë nga agjencia shtetërore e lajmeve “Beta” se është e natyrshme që armët bërthamore taktike ruse të jenë pjesë e ushtrimit “Zapad”.
“Ne po praktikojmë gjithçka këtu. Edhe ata [Perëndimi] e dinë këtë, nuk po e fshehim. Nga shkrepja e armëve të vogla konvencionale, te kokat bërthamore. Përsëri po them, ne duhet të jemi të aftë që ta bëjmë tërë këtë. Në të kundërtën, pse do të ishin ato [armët bërthamore taktike] në territorin bjellorus” – pyeti Lukashenko.
“Por ne absolutisht nuk jemi duke planifikuar që të kërcënojmë askë me këtë” – shtoi presidenti bjellorus.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë konfirmoi përmes një deklarate se përdorimi i armëve bërthamore taktike është ushtruar bashkë me dislokimin e raketës balistike “Oreshnik”, të cilën Moska e hodhi drejt Ukrainës për herë të parë më 21 nëntor të vitit të kaluar.