Lukashenko paralajmëron për krizë ushtarake e politike, e akuzon ShBA-në për armatosjen e Polonisë
Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, ka paralajmëruar se një “krizë ushtarake politike e nivelit botëror, e pashembullt në historinë e njerëzimit” është duke lëshuar rrënjë dhe e ka kritikuar Perëndimin se nuk po e njeh nevojën për dialog për ta zgjidhur atë.
Ai i akuzoi Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për “armatosjen e Polonisë me ritëm të përshpejtuar” dhe pretendoi se Perëndimi po e bënte Poloninë “terren trajnimi prokurë” për ta shfrytëzuar atë kundër Bjellorusisë dhe Rusisë, duke e krahasuar me Ukrainën, raporton televizioni CNN.
“Kështu, një vatër tjetër e tensionit është duke u krijuar, një bastion tjetër është duke u krijuar për agresionin e shtetit më agresiv në botë dhe, fatkeqësisht, më të fuqishmit – Shtetet e Bashkuara”- tha presidenti bjellorus.
Ai i ftoi mercenarët e grupit “Wagner” që ta trajnonin ushtrinë bjelloruse. Lukashenko e përmendi tërthorazi ftesën gjatë një fjalimi të premten kushtuar Ditës së Pavarësisë së Bjellorusisë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, “Belta”.
“Fatkeqësisht, ata (mercenarët) nuk janë këtu dhe nëse instruktorët e tyre, siç u kam thënë tashmë, vijnë dhe na e dhurojnë përvojën ushtarake, ne do ta pranojmë këtë përvojë”- tha Lukashenko.
Ftesa erdhi vetëm një javë pasi presidentit bjellorus iu dhanë meritat për ndërprerjen e një kryengritjeje të armatosur të grupit “Wagner” kundër Moskës.
Lukashenko ndërmjetësoi për një marrëveshje, sipas së cilës udhëheqësi i mercenarëve, Yevgeny Prigozhin, do të vendosej në Bjellorusi. Mercenarëve u është dhënë mundësia që të bëhen pjesë e ushtrisë ruse, të kthehen te familjet e tyre ose të shkojnë në Bjellorusi.
Në fjalimin e tij të premten, Lukashenko tha se nuk frikësohet nga anëtarët e grupit “Wagner”, sepse i njeh për një kohë të gjatë. “Këta janë njerëz që kanë luftuar në mbarë botën për të vendosur një civilizim normal. Perëndimi i urren ata deri në palcë”- tha presidenti bjellorus.
