Lukashenko jep version që bie ndesh me pretendimin e Putinit rreth planit të sulmuesve për ikje - NACIONALE

Lukashenko jep version që bie ndesh me pretendimin e Putinit rreth planit të sulmuesve për ikje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, tha të martën se personat e armatosur që sulmuan në sallë koncertesh afër Moskës javën e kaluar ishin përpjekur që të iknin në shtetin e tij, por nuk kishin arritur për shkak të masave shtesë të sigurisë.

Lukashenko u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve të ketë thënë se masat e sigurisë u futën në fuqi përgjatë kufirit të Bjellorusisë me Rusinë, kur u bë e qartë se autorët kishin arritur me veturë në rajonin rus të Brianskut, i cili kufizohet me Bjellorusinë dhe Ukrainën, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Kur sulmuesit ikën në jugperëndim të Moskës dhe arritën në rajonin Briansk, Bjellorusia vendosi shpejt pika kontrolli.

“Për këtë arsye ata nuk hynë në Bjellorusi. Ata e panë këtë, prandaj u kthyen prapa dhe shkuan në zonën e kufirit Ukrainë – Rusi. Putini dhe unë nuk flemë një ditë. Kishte ndërveprim të vazhdueshëm” – tha presidenti me pushtet të gjatë në republikën ish-sovjetike.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se të dyshuarit donin që të iknin në Ukrainë dhe priteshin atje. Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara e kanë hedhur poshtë këtë pretendim, duke thënë se Ukraina nuk ka të bëjë asgjë me sulmin që la të paktën139 të vrarë më 22 mars në sallën e koncerteve “Crocus”.

Dega e ISIS-it në Afganistan, IS-K, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa ShBA-ja dhe shtete të tjera perëndimore kanë thënë se ky pretendim është i besueshëm, por zyrtarët rusë vazhdojnë të këmbëngulin se Ukraina ka qenë e përfshirë.

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) në Rusi, Aleksander Bortnikov, të martën e përsëriti pretendimin e Putinit se jo vetëm Ukraina, por edhe Perëndimi kishte rol në sulmin vdekjeprurës.

Pa paraqitur ndonjë dëshmi, Bortnikovi pretendoi se edhe agjencitë perëndimore të spiunimit mund të kenë qenë të përfshira në sulm, edhe pse pranoi se Rusia kishte marrë një paralajmërim nga Shtetet e Bashkuara në fillim të marsit për një sulm të mundshëm terrorist.

Analisti politik, Artyom Shreibman, i tha Radios “Evropa e Lirë” se deklaratat e Lukashenkos janë “shumë në kundërshtim me atë që thotë Rusia”. Nëse sulmuesit donin të iknin në Ukrainë, atëherë Bjellorusia “absolutisht nuk do të kishte të bënte asgjë me këtë”, shtoi ai.

Lajme të ngjashme