Luftëtarët sirianë ekzekutuan 35 njerëz për tri ditë, thotë monitoruesi i luftës
Luftëtarë të lidhur me udhëheqësit e rinj sirianë kanë kryer 35 ekzekutime jashtëgjyqësore për 72 orë, shumica oficerë të periudhës së Bashar al-Assadit, sipas një organizate që merret me vëzhgimin e konfliktit në Siri.
Autoritetet e instaluara nga forcat rebele që e rrëzuan ish-presidentin Bashar al-Assad muajin e kaluar, thanë se kishin kryer shumë arrestime në zonën e Homsit për “shkelje” të pasaktësuara, raporton gazeta “The Guardian”.
Agjencia zyrtare siriane e lajmeve, “Sana”, tha se autoritetet të premten akuzuan anëtarë të një “grupi kriminal” për shfrytëzim të një operacioni pastrues të sigurisë për të kryer abuzime kundër banorëve “duke u paraqitur si anëtarë të shërbimeve të sigurisë”.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha të dielën se “këto arrestime vijnë pas shkeljeve të rënda dhe ekzekutimeve jashtëgjyqësore që u kishin kushtuar me jetë 35 personave gjatë 72 orëve të fundit”.
Kjo organizatë gjithashtu tha se “anëtarë të pakicave fetare” kishin pësuar “poshtërime”.
Shumica e të ekzekutuarve ishin ish-oficerë në qeverinë tashmë të rrëzuar të Assadit, të cilët ishin paraqitur në qendrat e ngritura nga autoritetet e reja, sipas organizatës me seli në Britani, e cila ka një rrjet të burimeve brenda Sirisë.
“Dhjetëra anëtarë të grupeve të armatosura lokale nën kontrollin e koalicionit të ri islamist sunit në pushtet, të cilët morën pjesë në operacionet e sigurisë” në zonën e Homsit “janë arrestuar”, shtoi organizata.
Më tej, ajo tha se këto grupe “kryen hakmarrje dhe lanë hesape të vjetra me anëtarë të pakicës Alawite, të cilës i përket Bashar al-Assadi, duke e shfrytëzuar gjendjen e kaosit, përhapjen e armëve dhe lidhjet e tyre me autoritetet e reja”.
Grupi Civil i Paqes tha se ka pasur viktima civile në shumë fshatra në zonën e Homsit gjatë operacionit pastrues të sigurisë.
Ky grup “i dënoi shkeljet e pajustifikuara”, përfshirë vrasjen e burrave të paarmatosur.
Që nga ardhja në pushtet, autoritetet e reja siriane janë përpjekur që t’i sigurojnë pakicat fetare dhe etnike në Siri se të drejtat e tyre do të respektohen.
Sidoqoftë, anëtarët e pakicës Alawite të Assadit kanë shprehur frikë nga hakmarrja për shkak të abuzimeve gjatë dekadave të klanit të tij në pushtet./Nacionale