Luftanija kanadeze kalon nëpër Ngushticën e Tajvanit, reagon Kina
Një luftanije kanadeze kaloi nëpër Ngushticën e Tajvanit në atë që Otava e quajti përkushtim ndaj Indo-Paqësorit të hapur, duke e nxitur qortimin nga Kina se ushtrimi detar i 31 korrikut e minon paqen.
Ministria e Mbrojtjes e Kanadasë tha se fregata “HMCS Montreal” kishte “kryer rishtazi një transit rutinor” nëpër Ngushticën e Tajvanit në atë që ministri i Mbrojtjes tha se ishte riafirmim i përkushtimit të Kanadasë ndaj një Indo-Paqësori “të lirë, të hapur dhe gjithëpërfshirës”, raporton agjencia “Reuters”.
“Siç përvijohet në Strategjinë tonë të Indo-Paqësorit, Kanadaja do ta shtojë praninë e Forcave Detare Mbretërore Kanadeze në rajonin e Indo-Paqësorit” – tha ministri Bill Blair, duke iu referuar planit të vendit të tij për rajonin e largët, paraqitur më 2022.
Li Xi, zëdhënës i Komandës së Teatrit Lindor të ushtrisë kineze, tha se kalimi i fregatës kanadeze të mërkurën e kishte “ngacmuar dhe penguar situatën dhe i kishte minuar paqen dhe stabilitetin në mbarë Ngushticën e Tajvanit”.
Ai shtoi se trupat kineze ishin në gjendje të vigjilencës së lartë tërë kohën dhe janë “të gatshme për t’iu kundërpërgjigjur të gjitha rreziqeve dhe provokimeve”.
Kina pretendon sovranitet mbi Tajvanin me qeverisje demokratike dhe thotë se ka juridiksion mbi ngushticën e gjerë gati 180 kilometra që i ndan dy vendet. Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë, duke thënën se Ngushtica e Tajvanit është rrugë ujore ndërkombëtare.
Luftanije amerikane dhe nganjëherë edhe aeroplanë patrullues të forcave detare amerikane kalojnë nëpër ose mbi Ngushticën e Tajvanit mesatarisht një herë në muaj.
Kalimi i anijeve kanadeze nëpër atë hapësirë ujore është më pak i zakonshëm./Nacionale