Lufta me rebelët M23, Kongoja ua dyfishon pagat ushtarëve dhe policëve
Republika Demokratike e Kongos të premten ua dyfishoi pagat ushtarëve dhe policëve, tha Ministria e Financave, në atë që duket shtytje për ngritjen e moralit në kohën kur rebelët e grupit M23 të përkrahur nga Ruanda po avancojnë në lindje të Kongos.
Grupi M23 i ka kapur dy qytetet më të mëdha të pjesës lindore të Kongos gjatë një ofensive të shpejtë që ka lënë mijëra të vdekur, ka detyruar qindra mijëra njerëz që të ikin nga shtëpitë e tyre dhe ia ka shtuar presionin presidentit Felix Tshisekedi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rritja e pagave do të jetë “pikë kthese drejt kushteve më të mira” për ushtrinë, tha Ministria e Financave.
Një oficer në provincën e Kivusë Veriore i tha agjencisë “Reuters” të enjten se ai ka dëgjuar për rritjen e pagave, por se trupat nuk i kishin marrë madje as pagat bazë gjatë dy muajve të fundit që nga mbyllja e bankave pas rënies së qytetit Goma.
“Morëm vesh se paga jonë është dyfishuar, por ende nuk e kemi përjetuar këtë rritje, sepse paga jonë është ngrirë” – tha oficeri.
Kongoja ka rreth 260 mijë ushtarë dhe pjesëtarë të tjerë të forcave të sigurisë, sipas ligjit për buxhetin e vitit 2025. Pagat zyrtare mujore nga viti 2022 kanë qenë mes 100 e 200 dollarëve amerikanë për të gjitha rangjet, sipas dokumenteve qeveritare.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë efekti do të kishte rritja e pagave ndaj buxhetit. Një draft-ligj për amendamentimin e buxhetit për këtë vit pritej t’u dërgohej ligjvënësve këtë muaj, por kjo nuk ka ndodhur.
Ruanda i mohon akuzat nga Kongoja dhe Kombet e Bashkuara për mbështetje të grupit M23 me armë e trupa, duke thënë se forcat e saj janë duke vepruar në vetëmbrojtje kundër ushtrisë kongoleze dhe grupeve militante armiqësore./Nacionale