Lufta me Iranin: Izraeli pritet ta rrisë buxhetin e mbrojtjes për 12,3 miliardë dollarë
Izraeli pritet ta zgjerojë buxhetin e mbrojtjes për gati 40 miliardë shekelë (13 miliardë dollarë), rreth 2 për qind të prodhimit vendës bruto, për ta financuar luftën me Iranin, sipas një zyrtari të Ministrisë së Financave, i cili kërkoi që të mbetej anonim për të folur rreth planeve që nuk janë ende publike.
Kjo rritje është pjesë e buxhetit të rishikuar për vitin 2026 që do të vendoset për debat dhe potencialisht të votohet të martën vonë nga kabineti i kryeministrit Benjamin Netanyahu. Më pas do të nevojitet miratimi nga Kuvendi në fund të muajit, raporton mediumi “Bloomberg”.
Buxheti i mbrojtjes parashihet që të rritet për 28 miliardë shekelë, ndërsa 10 miliardë shekelë të tjerë të ndarë si rezervë për nevoja të mundshme ushtarake, tha zyrtari izraelit.
Mbrojtja do të ketë kosto të përgjithshme prej 140 miliardë shekelësh ose për 115 për qind më të lartë se më 2023, para luftës në Gaza. Vlera e përgjithshme e buxhetit tani do t’i afrohet shumës prej 700 miliardë shekelësh.
Paratë shtesë planifikohen kryesisht për plotësimin e inventarit ushtarak dhe për t’i paguar ushtarët rezervistë. Në propozimin e mëparshëm për buxhetin ishte caktuara një kufi prej 40.000 ushtarësh rezervë për këtë vit, me maksimumin prej 55 ditësh shërbim për secilin. Megjithatë, që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit, ushtria ka thirrur më shumë se 100.000 rezervistë.
Huat qeveritare u rritën që nga fillimi i fushatës ushtarake kundër Hamasit më 2023, duke e arritur kulmin prej gati 280 miliardë shekelësh më 2024 e duke mbetur të larta edhe vitin e kaluar – 200 miliardë shekelë.