Lufta e Ukrainës, mundësi e artë për ShBA-në që të rekrutojë spiunë rusë
Pushtimi i vazhdueshëm e brutal i Ukrainës nga Rusia u ka ofruar shërbimeve amerikane të inteligjencës një derë të rrallë për rekrutimin e personave të brendshëm të Kremlinit që janë të zemëruar me menaxhimin e luftës.
“Pakënaqësia krijon një mundësi që vjen një herë në një gjeneratë për ne” – tha vitin e kaluar drejtori i CIA-s, Bill Burns, gjatë një fjalimi në Britani të Madhe. “Ne jemi shumë të hapur për biznes” – shtoi ai, raporton televizioni CNN.
“Ky biznes është shkëmbimi i të dhënave që aseti ose agjenti do t’i ofronte për diçka që ai do” – tha David McCloskey, ish-oficer i CIA-s. “Ne duam njerëz që kanë ca të kuptuar se cilat janë prioritetet e udhëheqësve [të Rusisë] – se çfarë po mundohen të arrijnë ata” – shtoi ai.
Përpjekjet e vazhdueshme për rekrutim nuk janë sekret shtetëror. CIA ka publikuar video në gjuhën ruse në rrjete sociale ku thirret patriotizmi i rusëve të pakënaqur me qasje në të dhëna që do të mund të ishin të dobishme për ShBA-në.
Këto përpjekje e vënë në pah evoluimin e shërbimit të inteligjencës që historikisht e ka kryer misionin e vet thelbësor të luftimit të rreziqeve ndaj sigurisë kombëtare dhe informimin e politikëbërësve nën perden e fshehtësisë.
Në materialet publike të CIA-s në përpjekje për të rekrutuar spiunë të huaj përfshihen udhëzimet hap pas hapi për informatorët e mundshëm rusë se si t’i shmangen kapjes nga shërbimet ruse të sigurisë përmes përdorimit të rrjeteve virtuale private ose VPN-ve dhe shfletuesit të uebfaqeve “Tor” që në mënyrë anonime dhe me enkriptim ta kontaktojnë CIA-n në atë ashtuquajturin Rrjet i Errët.
“Ky apel i drejtpërdrejtë është qasje e pazakonshme, por që mund të dëshmohet efikase për t’iu afruar popullsisë ruse me pak opsione për ta shprehur pakënaqësinë e vet” – tha Douglas London, ish-shef i një qendre të CIA-s jashtë vendit.
“Rusët e zemëruar me korrupsionin dhe abuzimin e sanksionuar nga shteti të Kremlinit, pa rrugë për të vepruar haptazi, kanë mbetur me pak alternativa përpos gjetjes së mbështetjes së jashtme” – shtoi ai.
Përderisa spiunazhi është i paligjshëm në çdo shtet të botës dhe operativët e fshehtë qartazi janë përdorur për qëllime të liga, si sabotazhi, vrasja dhe ndërhyrja në zgjedhje, një dokumentar i televizioneve CNN dhe BBC, i quajtur “Sekrete dhe Spiunë”, e largon perden e një funksioni më pak të njohur e historikisht kritik të spiunazhit: zvogëlimi i pasigurisë dhe keqllogaritjes në mesin e armiqve me armë bërthamore.
Siç theksohet në këtë dokumentar, mësimet e spiunazhit nga Lufta e Ftohtë mund ta përcaktojnë stabilitetin global në të ardhmen.
“Duhet ta njohësh armikun tënd. Nëse nuk e njeh, mund ta frikësosh që të bëjë diçka që asnjëri prej jush nuk dëshiron që të ndodhë” – tha historiani amerikan, Tim Naftali.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli