Loja në Gjermani, por Parisi “blindohet” me 5.400 policë për finalen PSG – Inter - NACIONALE

Loja në Gjermani, por Parisi “blindohet” me 5.400 policë për finalen PSG – Inter

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Autoritetet lokale në Paris do të angazhojnë 5.400 policë për ndeshjen finale të së shtunës në Ligën e Kampionëve në futboll mes klubit francez, Paris Saint-Germain, dhe ish-kampionit të Italisë, Inter, tha të premten komandanti policor, Laurent Nunez.

Edhe pse ndeshja do të luhet në Munih të Gjermanisë, një fitore e mundshme e PSG-së do të nxiste festë në kryeqytetin francez dhe tërë kjo mund të shkaktojë pengesa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Pas incidentit në Liverpool të Anglisë më herët këtë javë, kur një veturë goditi disa tifozë, francezi Nunez tha se trafiku në Arc de Triomphe – njëra nga zonat më të njohura të qytetit – do të bllokohet nga mesdita e së shtunës, ndërsa në mbrëmje do të mbyllen edhe bulevardi “Champs-Elysees” dhe rrugët përreth.

Fitorja e PSG-së kundër Arsenalit më herët këtë muaj, me të cilën klubi francez e siguroi finale, nxiti një natë trazirash në Paris. 47 njerëz u arrestuan e tre të tjerë u lënduan, pasi u goditën nga një veturë.

“Nga ora 18:00 këtë të shtunë, nuk do të ketë më trafik në Champs-Elysees dhe në rrugët pingule” – tha komandanti policor.

“Individët që vijnë vetëm për të kryer vandalizëm dhe për të plaçkitur biznese, ky është një model në të cilin ne qartazi jemi duke punuar për t’i dhënë fund sistematikisht. Kështu do të jetë edhe të shtunën në mbrëmje” – shtoi ai.

“Ne sigurisht se do të jemi tepër të vendosur. Porsa të ketë dëme, sulme ndaj sundimit të ligjit, do të ketë intervenime” – paralajmëroi komandanti i policisë në kryeqytetin francez./Nacionale

Lajme të ngjashme