“Lockheed Martin” fiton kontratë 17-miliardëshe për mbrojtjen ajrore të ShBA-së
Gjiganti amerikan, “Lockheed Martin”, ka siguruar një kontratë me vlerë prej 17 miliardë dollarësh për ta zhvilluar gjeneratën e ardhshme të sistemit të mbrojtjes ajrore të ShBA-së kundër ndonjë sulmi me raketa balistike ndërkontinentale, tha të hënën Agjencia e Mbrojtjes Raketore e ShBA-së.
Qëllimi i programit të mbrojtjes ajrore është që të mposhten rreziqet e tanishme nga raketat balistike dhe avancimet teknologjike të së ardhmes nga shtete si Koreja Veriore dhe Irani, raporton agjencia “Reuters”.
Me kontratën raketore shumëvjeçare mbulohet zhvillimi i Penguesit të Gjeneratës së Ardhshme për ta modernizuar programin “Mbrojtja e Mesme me Bazë në Tokë”. Rrjeti i radarëve, raketave kapëse dhe pajisjeve të tjera është i dizajnuar për t’i mbrojtur Shtetet e Bashkuara nga raketat balistike ndërkontinentale.
Vlera e aksioneve të kompanisë “Lockheed Martin” shënoi rritje për 0,6 për qind të hënën.
“Lockheed” është “i përkushtuar ndaj ofrimit të kapësve të besueshëm”, tha Sarah Hiza, menaxhere e përgjithshme e Mbrojtjes Strategjike dhe Raketore.
Sistemi i parë i kapësve pritet që të futet në funksion në vitin 2028.
Programi tash për tash është në fazën e zhvillimit të teknologjisë dhe do të kalojë te zhvillimi i produktit në maj, sipas një dëshmie me shkrim të javës së kaluar nga drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Raketore, Gjeneral Lejtënant Heath Collins. Shtetet e Bashkuara planifikojnë që të blejnë 20 raketa kapëse dhe t’i dislokojnë ato në Fort Greeely të Alaskës.
Sipas vlerësimeve qeveritare, programi i gjeneratës së ardhshme të raketave penguese do ta ketë vlerën e rreth 17,7 miliardë dollarëve gjatë kohës së tij.
Sipas gjeneralit Collins, administrata e presidentit Joe Biden ka kërkuar 28,4 miliardë dollarë për mbrojtje raketore për buxhetin fiskal të vitit 2025.