Lindet foshnja e parë në Britani me ADN të tre personave përmes një procedure të re artificiale
Foshnja e parë në Britani me ADN të tre personave është lindur, pasi mjekët kryen një procedurë të re të fekondimit artificial, qëllimi i së cilës është parandalimi i trashëgimit të sëmundjeve të patrajtueshme nga prindi te fëmija.
Me teknikën e njohur si trajtimi i dhurimit mitokondrial (MDT), përdoret indi nga vezët e dhuruesve të shëndosha për të ndërtuar përmes fekondimit artificial embrione që nuk kanë mutacione të dëmshme nga nënat dhe që ka gjasa që ato të kalojnë te fëmijët, raporton gazeta “The Guardian”.
Pasi embrionet i kombinojnë spermën dhe vezët nga prindërit biologjikë me struktura të vogla në formë te baterive, të quajtura mitokondrie, nga vezët e dhurueses, foshnja ka ADN nga nëna dhe babai, si zakonisht, si dhe një sasi të vogël të materialit gjenetik – rreth 37 gjene – nga dhuruesja.
Ky proces e ka sjellë fazën e “foshnjave me tre prindër”, edhe pse mbi 99,8 për qind e ADN-së së këtyre foshnjave është nga nëna dhe babai.
Hulumtimet në këtë fushë janë zhvilluar fillimisht në Britani nga mjekët e Qendrës për Fertilitet në Newcastle. Qëllimi i hulumtimeve ishte që t’u ndihmohej grave me mitokondrie me mutacione që të kenë foshnja pa rrezikun e transmetimit të çrregullimeve gjenetike. Njerëzit i trashëgojnë të gjitha mitokondriet nga nëna, prandaj mutacionet e dëmshme mund t’i prekin të gjithë fëmijët e një gruaje.
Për gratë e prekura nga këto mutacione, pllenimi natyror mund të jetë pa pasoja për fëmijët, por edhe me to. Disa foshnja mund të linden të shëndosha, sepse ato trashëgojnë vetëm një sasi të vogël të mitokondrieve me mutacione. Megjithatë, disa të tjera mund të trashëgojnë shumë më shumë dhe të preken nga sëmundje të ashpra, progresive dhe shpesh fatale. Rreth një në çdo 6 mijë foshnja preken nga çrregullimet mitokondriale.
Procedura e re nuk është pa rreziqe. Sipas hulumtimeve të reja, në disa raste, numri i vogël i mitokondrieve jonormale, që barten në mënyrë të pashmangshme nga veza e nënës te veza e dhurueses, mund të shumohen, kur foshnja është ende në mitër. Kjo gjë mund t’i shkaktojë sëmundje fëmijës.
