Lideri suprem iranian i plagosur rëndë lëshon kërcënime ndaj ShBA-së mes armëpushimit - NACIONALE

Lideri suprem iranian i plagosur rëndë lëshon kërcënime ndaj ShBA-së mes armëpushimit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi suprem iranian, Mojtaba Khamenei, i plagosur rëndë, ka lëshuar mesazhe kërcënues të shtunën, në mes të armëpushimit të brishtë me Izraelin, raportuan mediat amerikane.

Në një deklaratë për Ditën e Forcave të Armatosura të Iranit, ai paralajmëroi se “flota detare e Iranit është gati të shkaktojë humbje të reja të hidhura ndaj armiqve.”

Khamenei, i cili së fundmi mori pushtetin pas eliminimit të babait të tij, Ali Khamenei, nuk është parë publikisht që nga sulmi ajror i 28 shkurtit.

Sulmi i përbashkët SHBA-Izrael besohet t'i ketë kushtuar atij me humnjen e njërës këmbë dhe shënoi një kthesë dramatike në udhëheqjen iraniane, siç raportoi ditë më parë “Reuters.”

Megjithatë, pavarësisht dobësimit ushtarak, retorika e tij mbetet sfiduese dhe agresive.

“Në të njëjtën mënyrë si dronët iranianë godasin si rrufe kundër kriminelëve amerikanë dhe sionistë, marina është gati për humbje të reja,” thuhet në një postim.

Në një tjetër deklaratë, ai theksoi se “ushtria është si fëmija i kombit, që lind nga zemra e shtëpive të popullit.”

Ai shtoi se “Ushtria e Republikës Islamike po mbron me guxim tokën, ujërat dhe flamurin që i përkasin.”

Khamenei pretendoi gjithashtu se forcat iraniane po luftojnë “dy ushtritë kryesore të mosbesimit dhe arrogancës,” duke iu referuar SHBA-së dhe Izraelit.

Në një ton triumfues, ai deklaroi se “ushtria islame ka ekspozuar dobësinë dhe poshtërimin e tyre para botës.”

Megjithatë, këto pretendime u kundërshtuan drejtpërdrejt nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Ushtria e tyre është e shkatërruar, e gjithë marina është nën ujë. Njëqind e pesëdhjetë anije janë zhdukur,” tha ai më 13 prill.

Trump shtoi se “Irani është në gjendje shumë të keqe. Janë të dëshpëruar… ne e kuptojmë situatën më mirë se kushdo.”

Këto deklarata vijnë ndërsa armëpushimi dhjetëditor midis Iranit dhe Izraelit pritet të përfundojë më 22 prill.

Ndërkohë, Irani ka ruajtur kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe ka rivendosur kufizime të reja detare.

Këto masa pasojnë vendimin e SHBA-së për të vazhduar bllokadën ndaj anijeve të lidhura me Teheranin.

Lajme të ngjashme