Lideri suprem i Iranit u bën thirrje shteteve islame që Izraelit t’ia ndalin dy eksporte kyçe - NACIONALE

Lideri suprem i Iranit u bën thirrje shteteve islame që Izraelit t’ia ndalin dy eksporte kyçe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u bëri thirrje shteteve islame që t’i ndërpresin eksportet e ushqimit dhe naftës për Izraelin, duke kërkuar nga ky shtet që ta ndalë bombardimin e Rripit të Gazës, raportuan mediat shtetërore.

“Bombardimet në Gazë duhet të ndalen menjëherë... rruga e eksporteve të naftës dhe ushqimit për regjimin zionist duhet të ndalet”- tha Khamenei para një grupi të studentëve në Teheran, sipas mediave shtetërore iraniane, përcjell agjencia “Reuters”.

Izraeli është zotuar se do ta shpartallojë Hamasin e mbështetur nga Irani, grup që e qeveris Gazën, si hakmarrje për sulmin e 7 tetorit, kur në Izrael u vranë rreth 1.400 njerëz e mbi 200 të tjerë u morën peng.

Forcat izraelite kanë kryer bombardime të pashembullta në enklavën e izoluar dhe kanë vendosur rrethim të saj. Sipas autoriteteve palestineze, mbi 8 mijë njerëz janë vrarë në Gazë që nga fillimi i luftës.

Udhëheqësit klerikalë të Iranit e kanë paralajmëruar Izraelin për eskalim të konfliktit, nëse ky vend nuk i jep fund agresionit ndaj palestinezëve. Autoritetet iraniane kanë lënë të kuptohet se grupet e lidhura me Teheranin në Lindje të Mesme janë të gatshme për të vepruar.

Khamenei, udhëheqësi më i lartë i shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara janë bashkëfajtore për “krimet e fundit kundër palestinezëve” nga Izraeli.

“Bota islame nuk duhet të harrojë se në çështjen jetike të Gazës, ato që po qëndrojnë kundër kombit të shtypur palestinez janë Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania”- tha Khamenei nën brohoritjet “Vdekje Izraelit” e “Vdekje Amerikës”.

Izraeli, që nuk njihet si shtet nga Irani, për një kohë të gjatë i ka akuzuar udhëheqësit klerikalë të Iranit se kanë nxitur dhunë përmes furnizimit të Hamasit me armatim. Teherani pranon se i ofron mbështetje financiare e morale këtij grupi.

Lajme të ngjashme