Libani goditet nga sulme të reja izraelite, vriten pesë mjekë
Pjesa jugore e Libanit dhe periferia e kryeqytetit Bejrut u goditën të premten nga sulme të reja izraelite. Të paktën pesë mjekë u vranë, përderisa trupat tokësore u përleshën me luftëtarë të Hezbollahut në jug.
Izraeli e ka vazhduar fushatën e vet intensive ushtarake kundër grupit të përkrahur nga Irani, Hezbollah, duke e venitur shpresën se përpjekjet e një emisari amerikan do të mund të sillnin një armëpushim së shpejti, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Emisari amerikan, Amoch Hochstein, tha më herët këtë javë në Bejrut se armëpushimi ishte i arritshëm. Ai udhëtoi në Izrael për t’u takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, para se të kthehej në Uashington, raportoi uebfaqja amerikane e lajmeve, “Axios”.
Qëllimi i udhëtimit të tij ishte që t’u jepej fund armiqësive mes Izraelit dhe Hezbollahut përgjatë kufirit jugor të Libanit, që kanë filluar para më shumë se një viti dhe që eskaluan në masë dramatike, kur Izraeli i shtoi sulmet në fund të shtatorit dhe dërgoi trupa tokësore në Liban më 1 tetor.
Trupat izraelite kanë luftuar kundër Hezbollahut në një rrip qytezash përgjatë tërë kufirit dhe këtë javë u futën më thellë në skajin e qytezës Khiyam, rreth gjashtë kilometra larg kufirit.
Hezbollahu tha se kishte hedhur raketa drejt trupave izraelite në lindje të kësaj qyteze të paktën katër herë të premten. Burimet libaneze të sigurisë i thanë agjencisë “Reuters” se trupat izraelite më parë kishin avancuar në një varg fshatrash edhe në perëndim. Ato thanë se, sipas të gjitha gjasave, Izraeli po mundohet që ta izolojë qytezën Khiyam para një sulmi të madh mbi të.
Sulmet izraelite ndaj dy fshatrave të tjera në jug të Libanit lanë të vrarë gjithsej pesë mjekë nga një forcë shpëtimi e lidhur me Hezbollahun, tha Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Sipas kësaj ministrie, në mesin e mbi 3.500 njerëzve të vrarë nga sulmet izraelite në vitin e fundit përfshihen më shumë se 200 mjekë.
Izraeli thotë se qëllimi i tij është që ta sigurojë rikthimin e dhjetëra mijëra njerëzve të evakuuar në shtëpitë e tyre, pasi ishin larguar nga pjesa veriore e Izraelit për shkak të sulmeve me raketa nga Hezbollahu, grup që nisi të hapte zjarr matanë kufirit në përkrahje të Hamasit që nga fillimi i luftës në Gaza, në tetorin e vitit të kaluar./Nacionale