Libani e Izraeli mund të arrijnë armëpushim brenda ditëve, thotë kryeministri libanez - NACIONALE

Libani e Izraeli mund të arrijnë armëpushim brenda ditëve, thotë kryeministri libanez

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, shprehu shpesë të mërkurën se një marrëveshje armëpushimi me Izraelin do të njoftohet brenda disa ditëve, përderisa televizioni publik izraelit e publikoi atë që tha se ishte drafti i marrëveshjes për armëpushim fillestar prej 60 ditësh.

Në dokument, për të cilin televizioni izraelit “Kan TV” tha se ishte propozim që ka rrjedhur dhe që është shkruar nga Shtetet e Bashkuara, thuhet se Izraeli do t’i tërheqë forcat e veta nga Libani brenda javës së parë të armëpushimit dymujor. Kjo ishte kryesisht në vijë me hollësitë për të cilat kishte raportuar më herët agjencia “Reuters”, duke u mbështetur në dy burime të afërta me çështjen.

Mikati tha se nuk besonte që një marrëveshje do të ishte e mundshme deri pas zgjedhjeve presidenciale në ShBA, por shtoi se u bë më optimist pasi bisedoi të mërkurën me emisarin amerikan për Lindjen e Mesme, Amos Hochstein, i cili pritet të udhëtojë në Izrael të enjten.

“Hochstein-i, gjatë telefonatës me mua, më la të kuptoja se mund të arrijmë një marrëveshje para fundit të muajit dhe para 5 nëntorit [dita e zgjedhjeve në ShBA]” – tha kryeministri Mikati në televizionin libanez, “Al Jadeed”.

“Ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi dhe duhet të mbetemi optimist që në orët ose ditët e ardhshme, do të kemi një armëpushim” – shtoi ai.

Drafiti i publikuar nga transmetuesi publik izraelit e mbante datën 26 tetor. Kur u pyet për koment, zëdhënësi për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Sean Savett, tha: “Ka shumë raportime dhe drafte që po qarkullojnë. Ato nuk e pasqyrojnë gjendjen e tanishme të bisedimeve.”

Megjithatë, ai nuk u përgjigj në pyetjen nëse versioni i publikuar nga televizioni izraelit ishte të paktën bazë për bisedime të mëtejme.

Televizioni izraelit tha se drafti u ishte paraqitur udhëheqësve izraelitë. Zyrtarët izraelitë nuk komentuan menjëherë.

Izraeli dhe Hezbollahu, grup i armatosur libanez, kanë qenë duke luftuar gjatë vitit të fundit paralelisht me luftën e Izraelit në Gaza, pasi Hezbollahu goditi caqe izraelite në solidarizim me aleatin Hamas në Gaza./Nacionale

Lajme të ngjashme