Lëshohet alarmi në Izrael, Irani nis sulmin me “dhjetëra dronë”
Irani ka nisur sulmin e tij të parë me dronë në shkallë të gjerë ndaj Izraelit, duke lëshuar “dhjetëra dronë sulmues”, njoftoi ushtria iraniane.
Tashmë në Izrael janë lëshuar alarmet që paralajmërojnë raketat, sipas raportimeve të CNN.
Në një foto të publikuar, shihet se makinat në një autostradë pranë Tel Aviv janë strehuar nën një mbikalim ndërsa prisnin që sirenat të pushonin.
Komanda e Frontit të Brendshëm të Izraelit u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë pranë strehimoreve kundër bombave dhe paralajmëroi publikun të mos marrë pjesë në grumbullime.
Ndryshe, sot Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur sulmet ndaj Iranit. Në mëngjes disa qytete të Iranit janë goditur me raketa të ndryshme.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka konfirmuar se ushtria amerikane ka nisur sulme në Iran. Në një postimi në rrjetin social Truth Social, ai ka treguar për sulmin.
“Pak kohë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë nisur operacione të mëdha luftarake në Iran”, ka shkruar ai.
Më pas, në një fjalim, Trump u tha anëtarëve Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të dorëzohen ose të përballen me “vdekje të sigurt”.
“Anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike, forcave të armatosura dhe gjithë policisë, u them sonte se duhet të dorëzoni armët dhe do të keni imunitet të plotë ose, përndryshe, do të përballeni me vdekje të sigurt,” tha ai në fjalimin e tij, duke njoftuar një operacion “madhor” në Iran.
Kurse, Izraeli ka bërë me dije se bëhet fjalë për atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit.