Lavrovi e kritikon Evropën, e lavdëron Trumpin: Pragmatist, interesante të punohet me të - NACIONALE

Lavrovi e kritikon Evropën, e lavdëron Trumpin: Pragmatist, interesante të punohet me të

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, të dielën e çmoi “të menduarit logjik” të presidentit amerikan, Donald Trump, në qëllimin e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por i akuzoi fuqitë evropiane se janë bashkuar prapa Kievit me synimin për ta zgjatur konfliktin.

Kryediplomati rus tha se Shtetet e Bashkuara ende duan që të jenë vendi më i fuqishëm në botë dhe se Uashingtoni e Moska kurrë nuk do ta shikojnë njëri-tjetrin në sy për gjithçka, por se ata ishin pajtuar për të qenë pragmatikë, kur interesat përkojnë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai që e mban postin e ministrit të Putinit për 21 vjet tha se modeli i marrëdhënieve ShBA – Kinë është ai që duhet të ndërtohet edhe mes Uashingtonit e Moskës për të bërë shumë “gjëra me përfitim reciprok” pa lejuar që mosmarrëveshjet të shndërrohen në luftë.

“Donald Trumpi është pragmatist. Slogani i tij është të menduarit logjik. Kjo do të thotë, siç mund të shohë secili, një zhvendosje në një mënyrë tjetër të të bërit të gjërave” – tha Lavrovi për gazetën ushtarake ruse, “Krasnaya Zvezda”.

“Por qëllimi është ende MAGA (Bëje Amerikën të Mrekullueshme Përsëri) – tha më tej diplomati i lartë rus, duke iu referuar sloganit politik të Trumpit. “Kjo i jep politikës një karakter të gjallë, njerëzor. Për këtë arsye, është interesante të punohet me të (Trumpin) – shtoi Lavrovi.

Trumpi bisedoi me Putinin më 12 shkurt dhe thotë se dëshiron që të mbahet mend si “paqebërës”. Lavrovi tha se telefonata mes Putinit e Trumpit është zhvilluar me nismën e presidentit amerikan.

Javën e kaluar, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se lufta në Ukrainë mund të shndërrohet në Luftë të Tretë Botërore, se ai kishte biseduar me Putinin “në shumë raste” dhe se ai mendonte se do të ketë një marrëveshje për paqe në Ukrainë./Nacionale

Lajme të ngjashme