Lavrov: Mos e nënvlerësoni rrezikun e luftës bërthamore - NACIONALE

Lavrov: Mos e nënvlerësoni rrezikun e luftës bërthamore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar Perëndimin që të mos nënvlerësojë rreziqet e mundshme të një konfliktit bërthamor shkaku i Ukrainës dhe tha se ai e sheh NATO-n "në thelb", si të përfshirë në një luftë indirekte me Rusinë duke furnizuar Kievin me armatim.

Lavrov, në një intervistë të transmetuar në televizionin shtetëror rus, tha gjithashtu se thelbi i çdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund konfliktit në Ukrainë do të varet kryesisht nga situata ushtarake në terren.

Lavrov është pyetur për rëndësinë e shmangies së Luftës së Tretë Botërore dhe nëse situata aktuale ishte e krahasueshme me krizën kubane të raketave që kishte ndodhur në vitin 1962, një pikë e ulët në marrëdhëniet SHBA-BRSS.

Rusia, tha Lavrov, po bënte shumë për të mbështetur parimin e përpjekjes për të parandaluar luftën bërthamore me çdo kusht.

"Ky është pozicioni ynë kyç mbi të cilin ne bazojmë gjithçka. Rreziqet tani janë të konsiderueshme," tha Lavrov.

"Unë nuk do të doja t'i ngrija ato rreziqe artificialisht. Shumë do ta donin këtë. Rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë."

Pushtimi dymujor i Rusisë në Ukrainë, sulmi më i madh ndaj një shteti evropian që nga viti 1945, ka lënë mijëra të vdekur e të plagosur, ka shkatërruar qytete të tëra, dhe ka detyruar mbi 5 milionë njerëz të ikin jashtë vendit.

Moska i quan veprimet e saj një "operacion special" për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët. Në anën tjetër, Ukraina dhe Perëndimi thonë se ky është një pretekst i rremë për një luftë të paprovokuar agresioni nga Vladimir Putin.

Lavrov, duke mbrojtur veprimet e Moskës, fajësoi gjithashtu Uashingtonin për mungesën e dialogut.

Ai tha se furnizimet perëndimore me armëve të sofistikuara, duke përfshirë raketat antitank Javelin, automjetet e blinduara dhe dronët e avancuar ishin masa provokuese të përllogaritura për ta zgjatur konfliktin në vend që t'i jepnin fund.

Lajme të ngjashme