Kuvendi i Letonisë e miraton tërheqjen nga konventa për mbrojtjen e grave - NACIONALE

Kuvendi i Letonisë e miraton tërheqjen nga konventa për mbrojtjen e grave

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Letonisë të enjten votoi për ta tërhequr vendin nga një traktat ndërkombëtar që e ka për qëllim luftimin e dhunës ndaj grave, pasi një partner konservator i koalicionit qeverisës doli në anën tjetër dhe e mbështeti këtë lëvizje, duke i sfiduar kryeministren dhe presidentin.

Konventa e Stambollit, e themeluar nga Këshilli i Evropës dhe e nënshkruar nga dhjetëra vende anëtare, e përcakton dhunën kundër grave si shkelje të të drejtave të njeriut dhe adreson forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, kundërshtarët e kësaj konvente në Letoni argumentojnë se ajo sjell një definicion të gjinisë që shkon përtej gjinisë biologjike, duke i dhënë konstrukt social, dhe se ligjet vendëse mjaftojnë për ta adresuar dhunën me bazë gjinore.

Njëra nga partitë e koalicionit, Unioni i të Gjelbërve dhe Fermerëve, u nda nga pozicioni i kryeministres Evika Silina dhe iu bashkua opozitës në synimin për tërheqjen e vendit të vogël të Baltikut nga Konventa e Stambollit, duke siguruar 56 vota në kuvendin me 100 ulëse.

“Kjo nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në dhunën në familje. Mbrojtjet kundër dhunës në familje ishin në ligjet letone edhe para Konventës së Stambollit” – tha Gunars Gutris, deputet i Unionit të të Gjelbërve dhe Fermerëve.

Rreth 5.000 njerëz protestuan në qendër të Rigës të mërkurën kundër tërheqjes së Letonisë nga Konventa e Stambollit, sipas televizionit publik LSM. Kryeministrja Silina iu drejtua turmës, duke e shprehur mbështetjen e saj për mbetjen e vendit si anëtar i traktatit./Nacionale

Lajme të ngjashme