Kuvendi i Izraelit voton javën e ardhshme për përjashtimin e deputetit arab, Ayman Odeh - NACIONALE

Kuvendi i Izraelit voton javën e ardhshme për përjashtimin e deputetit arab, Ayman Odeh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kuvendi i Izraelit, i njohur edhe me emrin Knesset, do të votojë më 14 korrik për përjashtimin e kryetarit të listës Hadash-Ta’al, Ayman Odeh, pasi të jetë zhvilluar një debat, ia ka njoftuar ligjvënësit kryetari i Knesset-it, Amir Ohana.

Të hënën, anëtarët e një komisioni parlamentar votuan me 14 vota për e vetëm 2 kundër përjashtimit të ligjvënësit arab, duke ia hapur rrugën dërgimit të çështjes në plenumin e Knesset-it, ku 90 deputetë duhet të votojnë për përjashtimin e tij, që vendimi të kalojë, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Çështje diskutimi në seancat dëgjimore për shkarkim ka qenë një deklaratë që deputeti Odeh e kishte bërë më herët këtë vit, në të cilën dukej se pengjet izraelite që po mbahen në Gaza barazohen me të burgosurit palestinezë që po mbahen në Izrael.

Ligjvënësi arab kishte thënë në rrjetin X se ishte “i lumtur për lirimin e pengjeve dhe të burgosurve” si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza.

Odeh-u më vonë e mbrojti deklaratën e tij, duke i përshkruar si të mitur dhe duke këmbëngulur se “shumica e të burgosurve të liruar atë ditë nuk ishin akuzuar për asgjë fare”.

Odeh-u e ka quajtur synimin për ta përjashtuar atë nga Knesset-it përpjekje për t’ua mbyllur gojën izraelitëve arabë.

Koalicioni qeveritar nuk ka vota të mjaftueshme në plenum për ta përjashtuar Odeh-un pa mbështetjen e disa deputetëve të opozitës. Përfaqësuesit e partive Kaltër e Bardhë dhe Yesh Atid më herët këtë javë votuan pro përjashtimit të këtij deputeti./Nacionale

Lajme të ngjashme