Kuvendi i Hungarisë e miraton ligjin për tërheqjen e vendit nga GjNP-ja
Kuvendi i Hungarisë të martën miratoi një ligj me të cilin do të fillojë procesi disavjeçar i tërheqjes së këtij shteti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP).
Qeveria e kryeministrit Viktor Orban ka pretenduar se kjo gjykatë është bërë “politike”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Hungaria e kishte njoftuar vendimin për tërheqje më 3 prill, pak pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte arritur për vizitë shtetërore në një udhëtim të rrallë jashtë vendit, duke e sfiduar urdhërarrestin e lëshuar kundër tij nga GjNP-ja.
Në nëntor të vitit të kaluar, GjNP-ja lëshoi urdhërarreste kundër Netanyahut, ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, dhe një udhëheqësi të Hamasit, Mohammed Deif, edhe pse Izraeli kishte thënë se e kishte vrarë atë përmes një sulmi ajror në Gaza në korrik.
Gjykatësit e GjNP-së kishin thënë në nëntor se kishte “bazë të arsyeshme” se këta tre individë bartnin “përgjegjësi penale” për krime të dyshuara të luftës dhe krime të dyshuara kundër njerëzimit gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Të dyja palët i kanë mohuar akuzat.
Në kohën e lëshimit të urdhërarrestit kundër tij, Netanyahu e kishte dënuar vendimin e GjNP-së duke e quajtur “antisemit”, ndërsa Hamasi kishte thënë se urdhërarrestet kundër kryeministrit izraelit dhe ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes kishin vendosur një “precedent të rëndësishëm historik”.
Shtëpia e Bardhë kishte thënë se ShBA-ja e kundërshton vendimin e GjNP-së për urdhërarrestet. Sidoqoftë, disa shtete evropiane kishin thënë se i respektonin vendimet e gjykatës.
Orbani e kishte sfiduar drejtpërdrejt urdhërarrestin e GjNP-së ndaj Netanyahut, duke e ftuar homologun izraelit për vizitë në Budapest e duke e siguruar se nuk do të përballej me rrezikun e arrestimit./Nacionale