Kuvajti e ndalon filmin “Barbie”, njësoj mund të ndodhë edhe në Liban
Filmi “Barbie” pritet të shfaqet nga e enjtja në Lindje të Mesme, por lëvizjet nga autoritetet në Kuvajt dhe Liban për ta ndaluar atë për shkak të temave rreth gjinisë dhe seksualitetit kanë ngritur pyetje për atë se sa gjerësisht do të shikohet ky film.
Kuvajti njoftoi për vendimin rreth ndalimit të filmit tashmë të famshëm të mërkurën vonë, duke thënë se ky film promovon “ide dhe besime që janë të papajtueshme me shoqërinë kuvajtiane dhe rendit publik”, pa dhënë hollësi të tjera, sipas një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve, KUNA, përcjell agjencia “Associated Press”.
Në Liban, ministri i Kulturës, Mohammad Mortada, tha se filmi “Barbie” “bie ndesh me vlerat e besimit dhe moralit” dhe “i promovon homoseksualizmin dhe transformimin seksual”. Kërkesa e tij për ta ndaluar filmin i është përcjellë agjencisë për siguri të përgjithshme, e cila është pjesë e Ministrisë së Brendshme dhe tradicionalisht merret me vendimet për censurim, që ta marrë vendimin përfundimtar.
Kjo lëvizje tashmë ka shkaktuar reagime në Liban, shtet që për një kohë të gjatë ka qenë zonë e tolerancës relative për homoseksualizmin. Komuniteti LGBT në Liban ka qenë nën presion të shtuar viteve të fundit, përderisa grupet islame dhe e të krishterët e së djathtës ekstreme kanë gëzuar rritje të ngikimit në kohën e krizës së rëndë ekonomike.
Filmi pritet të shfaqet në Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabi Saudite dhe Bahrein të enjten në mbrëmje.