Kush janë rivalët presidencial të Francës, momente kyçe nga jeta e tyre
Ndërsa votuesit francezë po zgjedhin presidentin e tyre, ata po zgjedhin midis dy vizioneve të Francës – dhe dy njerëzve shumë të ndryshëm.
Associated Press shkruan për momentet kyçe në jetën e dy kandidatëve për president të Francës:
EMMANUEL MACRON
Në vetëm pesë vjet, presidenti aktual Emmanuel Macron është kthyer nga një i ri në politikë në një lojtar kyç botëror dhe vendimmarrës me peshë në Bashkimin Evropian, i cili ka qenë thellësisht i përfshirë në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Me aktivizmin e tij diplomatik, 44-vjeçari jo gjithmonë ia del, por ka fituar vendin e tij në skenën ndërkombëtare.
Në vitin 2018, pas protestave të “jelekverdhëve” kundër padrejtësisë, ai arriti të fitonte një lloj popullariteti në vend, ku sipas sondazheve të opinionit, statusi i tij presidencial vlerësohet dhe shumë persona e konsiderojnë atë të gatshëm për të përballuar kriza të mëdha gobale, si pandemia Covid-19 dhe konfilikti në Ukrainë.
Megjithatë, sondazhet po ashtu tregojnë se Macron shpesh përceptohet si arrogant dhe jo komunikues me njërëzit e zakonshëm.
Macron është quajtur veçanërisht "president i të pasurve", dhe disa kritikë denoncojnë gjithashtu një qëndrim të perceptuar autoritar, duke e konsideruar atë përgjegjës për incidente të dhunshme që përfshijnë policinë gjatë protestave në rrugë.
Macron, ka studiuar në shkollën elitare të Francës Ecole Nationale d’Administration dhe ishte nënpunës i lartë civil, më pas bankier në Rothschild për disa vite, e më vonë ishte këshilltar ekonomik i presidentit socialist Francois Hollande.
Ai doli nga prapaskena politike, kur u emërua ministër i ekonomisë në qeverinë e Hollande nga 2014 deri në 2016.
Një seri surprizash politike - duke përfshirë një skandal korrupsioni që përfshinte rivalin e tij kryesor, e ndihmuan atë të fitojë në vitin 2017. Ai e mundi Le Pen në atë garë me premtimet për të çliruar ekonominë e Francës duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës si dhe duke tërhequr investime të huaja.
Macron, i cili e përshkruan veten si "një president që beson në Evropë", argumenton se BE-ja është rruga që Franca të jetë vend më i fortë.
Gjatë punës së tij, goditi edhe pandemia COVID-19, ku ai pranoi rolin vendimtar të shtetit në mbështetjen e ekonomisë, duke shpenzuar masivisht dhe duke u zotuar të mbështesë punonjësit dhe biznesin përmes ndihmës publike.
Ndërsa, në tubimin e tij më të madh të fushatës pranë Parisit në fillim të këtij muaji, Macron bëri një homazh emocional për gruan e tij Brigitte, personin "për të cilin më intereson më shumë". Ata mund të shiheshin në ekranet gjigante të stadiumit duke i dërguar puthje njëri-tjetrit.
Zonja e parë, Brigitte Macron, e cila është 24 vjet më e madhe se ai, ka qenë e përfshirë në bamirësi dhe programe të tjera që promovojnë kulturën, arsimin dhe shëndetin.
Romanca e tyre ka nisur kur ai ishte student në shkollën e mesme ku ajo jepte mësim në Francën veriore. Në atë kohë, Brigitte - nënë e martuar me tre fëmijë, mbikëqyrte klubin e dramës, ndërsa Macron - një adhurues i letërsisë, ishte anëtar i atij klubi.
Për vitin e fundit të shkollës së mesme Macron u transferua në Paris, kurse ajo u divorcua dhe u transferua përfundimisht në kryeqytetin francez për t’u bashkuar me të. Çifit u martuan në vitin 2007.
MARINE LE PEN
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, kandidon për herë të tretë për presidencën franceze, ajo është aq e vendosur sa edhe babai i saj, i cili ishte bashkëthemelues në partinë kundër imigraciont që tani drejtohet nga Le Pen.
Babai i saj Jean-Marie, kishte kandiduar pesë herë për postin më të lartë të vendit, ndërsa Marine që ka kur ka trasheguar partinë e tij Fronti Kombëtar në vitin 2011, ka punuar për të goditur murin e frikës të së djathtës ekstreme, që deri më tani I ka penguar në rrugën drejtë presidencës.
Në sondazhet e deritanishme, duket se Le Pen është prapa Macron, por nuk ka qenë ndonjëherë më afër fitores. Nëse zgjidhet, ajo do të kërkojë të tranformojë politikën dhe shoqërinë francezë në vizionin e saj “i pari-francezi”.
Në mënyrë që të çlironte partinë e babait të saja nga njollat e racizmit dhe antisemitizmit që iu kishin ngjitur për dekada, ajo në vitin 2015 dëboi babain e saj nga partia dhe i ndryshoi emrin.
Sa i përket jetës private,mendohet se në qendër të dinastisë Le Pen, dramat familjare kanë qenë prej kohësh. Por, ajo ndër vite ka qenë shumë e mbyllur dhe jetën private e mban për vete.
Kur mbesa e saj e njohur, Marion Marechal, një ish-deputete e partisë, u largua nga Tubimi Kombëtar, Marine Le Pen ia doli që të mos bëhej një tjetër grindje familjare publike. Marechal – të cilën Le Pen e ndihmoi të ngrihej, e çoi më thellë tradhtinë kundër saj duke mbështetur rivalin e ekstremit të djathtë Eric Zemmour në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Një politikane dinake, Le Pen e ka transformuar imazhin e saj nga ajo e një përkrahëseje agresive dhe anti-sistemit në një zëdhënëse të butë për Francën e harruar.
Le Pen, 53 vjeçare, e cila ka dy vajza dhe një djalë, është e divorcuar, ndan shtëpinë e saj me një shoqe të fëmijërisë dhe macet e saj.
E lindur në vitin 1968 në një periferi të Parisit, Marion Anne Perrine Le Pen, ajo ka shkruar se ishte “e rritur me mjaltin dhe acidin e politikës”.
Martesa e prindërve të saj përfundoi me një divorc të hidhur publikisht - pas të cilit nëna e saj Pierrete Lalanne pozoi në vitin 1987 për edicionin francez të Playboy e veshur me rroba të çuditshme- rroba shërbëtoreje. Ajo tha se e bëri këtë pasi Jean-Marie Le Pen, i ka thënë se nëse i duheshin para duhet të bënte pastrimin e shtëpisë.
Le Pen i ka mbajtur me sukses fëmijët e saj në hijet e jetës së saj politike, duke i kursyer ata e nga kspozimi që ajo dhe motrat e saj duruan.
Le Pen është një avokate e trajnuar dhe përpara se të kalonte në politikë, klientët e saj ishin emigrant që jetonin ilegalisht në Francë - të cilët si politikane tani ajo dëshiron t'i dëbojë. Kjo çështje, është një nga kontradiktat e shumta që e përcaktojnë Le Pen. Një tjetër është marrëdhënia e saj me disa anëtarë të një lëvizjeje ekstreme të djathtë tashmë të ndaluar, të cilët ajo i takoi në shkollën juridike - një marrëdhënie që ajo nuk e ka mohuar e as pranuar.