Kush janë katër të dyshuarit për sulmin masiv në Moskë? - NACIONALE

Kush janë katër të dyshuarit për sulmin masiv në Moskë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Katër të armatosur të dyshuar janë arrestuar dhe janë vënë në paraburgim për sulmin e së premtes në një sallë koncertesh afër Moskës që la të paktën 137 të vrarë.

Mediat ruse i kanë identifikuar të gjithë të dyshuarit si shtetas të Taxhikistanit. Të gjithë shfaqën lëndime të dukshme, kur u paraqitën në një gjykatë në Moskë të dielën, raporton agjencia “Reuters”.

Kremlini refuzoi të komentonte të hënën, kur u pyet nëse të dyshuarit ishin torturuar. Kush janë ata?

Muhammadsobir Fayzov

Fayzov, 19 vjeç, është më i riu në mesin e të ndaluarve. Mediat ruse thonë se ai ka qenë duke punuar si berber në një qytezë në verilindje të Moskës.

Të shtunën, në disa kanale në rrjetin “Telegram” u publikua një video ku ai shihej duke u marrë në pyetje, i shtrirë në një shtrat spitali. Në disa fotografi që qarkulluan në internet të dielën duket se Fayzovi shfaqej pa njërin sy.

Ai u dërgua në gjykatë me karrocë dhe seanca ishte e mbyllur për gazetarë, ndryshe nga seancat për tre të dyshuarit e tjerë. Fayzov u fotografua ulur në karrocë, me kokën të lëshuar prapa dhe me dy sytë të mbyllur.

Dalerdzhon Mirzoyev

Mirzoyev është 32 vjeç dhe ka katër fëmijë.

Në një video të marrjes në pyetje, ai tha përmes një përkthyesi se jetonte “në një bujtinë afër autostradës” me një burrë tjetër, Mukhamad, dhe se para 10 – 12 ditëve ata kishin blerë një veturë “për punë” nga një person i quajtur Abdullo. Ai nuk shihet duket folur për sulmin.

Mirzoyev herë pas here fluturonte me aeroplan nga Moska në Taxhikistan dhe kthehej, sipas të dhënave të udhëtimit ajror që kanë rrjedhur. Në vitin 2011, ai ishte ndjekur penalisht për shkeljen e rregullave të imigrimit, sipas një baze të të dhënave të një gjykate.

Në fotografitë e shkrepura në sallën e gjykatës, ai shihet me prerje dhe mavijosje të rënda në fytyrë.

Shamsidin Fariduni

Fariduni, 25 vjeç, tha në një video të marrjes në pyetje, publikuar në rrjete sociale, se ai kishte arritur në Rusi nga Turqia më 4 mars. Ai dridhej gjatë marrjes në pyetje anash një rruge, ndërsa duart i kishte të lidhura pas shpinës. Ai tha se kishte “qëlluar njerëz” në sallën e koncerteve “Crocus” “për para” dhe se i ishin ofruar 500 mijë rubla (5.400 dollarë) nga një person që ai nuk e identifikoi.

Në një fotografi të publikuar më vonë nga kanali “Grey Zone” në rrjetin “Telegram”, që është e afërt me grupin e mercenarëve “Wagner”, Fariduni shihet i shtrirë në dysheme me pantallona të zhveshur deri në gjunjë dhe një person duke qëndruar mbi këmbët e tij.

Kur u shfaq në gjykatë të dielën, Fariduni kishte një të mavijosur të madhe në anën e majtë të fytyrës.

Saidakrami Rachabalizoda

Rachabalizoda, 30 vjeç, u shfaq duke u rrahur e duke u keqtrajtuar në një varg videosh të publikuara nga kanali “Grey Zone”. Në një video, një burrë në uniformë kamuflazhi pret një pjesë të veshit të tij të djathtë dhe ia fut në gojë. “Tash të ka mbetur një vesh” - thotë një zë në një tjetër video në të cilën Rachabalizoda shihet duke u marrë në pyetje. Të dielën, ai u shfaq në gjykatë me një fashë të madhe përreth veshit të djathtë e me mavijosje e gjak të tharë në fytyrë.

Më 2018, Rachabalizoda ishte ndjekur penalisht dhe ishte gjobitur me 2.500 rubla (27 dollarë) për një shkelje të rregullave të imigrimit, sipas një baze të të dhënave të një gjykate.

Agjencia “Reuters” ka arritur që të vërtetojë përmes analizimit të pamjeve se burrat që shihen duke u marrë në pyetje në fotografi dhe video ishin personat e njëjtë që u paraqitën në gjykatë të dielën.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme