Kurorat me lule për Navalnyn në skanerin e sigurisë, fytyra e vërtetë e Rusisë - NACIONALE

Kurorat me lule për Navalnyn në skanerin e sigurisë, fytyra e vërtetë e Rusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Figurës së famshme opozitare ruse, Alexei Navalny, të premten po i jepet lamtumira e fundit në Moskë. Pavarësisht nga forcat e shumta policore, shumë njerëz janë grumbulluar para kishës ku po mbahet funerali i tij. Këtë ceremoni jua sjellim përmes fotografive, nga të cilat shquhet njëra prej tyre: kurorat me lule duke u futur nëpër skanerë të sigurisë – ndoshta pamja më reale dhe me simbolikën më të fuqishme për regjimin e Putinit.

Dy orë para fillimit të funeralit, prani e madhe e policisë u pa përreth kishës ku do të zhvillohej ceremonia, në distriktin Maryino të Moskës, aty ku dikur jetonte Navalny, raporton gazeta “The Guardian”.

Tashmë ka pasur raportime për arrestime. Disa përkrahës të Navalnyt thuhet se janë ndaluar, pasi dolën nga banesat e tyre për të shkuar në funeral.

Disa ditë para ditës së varrimit, familja e Navalnyt e kishte akuzuar Kremlinin se po i bënte presion për të zhvilluar një ceremoni private, pa prani të publikut.

Nëna e tij ishte detyruar që të ballafaqohej me autoritetet për disa ditë për ta tërhequr trupin e të birit. Ajo kishte thënë se hetuesit ishin munduar ta shantazhonin për të organizuar funeral të qetë në një rajon verior të Rusisë, ku Navalny vdiq më 16 shkurt.

Pas ceremonisë së funeralit në kishë, Navalny do të varroset në varrezën “Borisovsky”, që ndodhet rreth 2,5 kilometra larg kishës.

Në njërën nga fotografitë shihen prindërit e Navalnyt – babai Anatoly dhe nëna Lyudmila – duke ecur drejt kishës ku do të niste ceremonia.

Në një fotografi tjetër, katër burra të veshur me rroba të zeza shihen duke e bartur arkivolin me trupin e Navalnyt.

Te hyrja e kishës shihet hyrja e dy automjeteve dhe shumë policë që qëndrojnë para shumë njerëzve që po incizonin me telefonat e tyre.

Fotografitë: AP, Reuters, AFP

Lajme të ngjashme