Kundërpërgjigjja e Bidenit ndaj sulmit në Jordani pritet të jetë e fuqishme
Kundërpërgjigjja e ShBA-së ndaj sulmit me dron në Jordani, ku u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën disa të tjerë të dielën, pritet të jetë më e fuqishme se sulmet e mëparshme hakmarrëse amerikane në Irak e Siri, i kanë thënë televizionit CNN disa zyrtarë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është nën trysni në rritje për t’u kundërpërgjigjur në një mënyrë që i ndal këto sulme. Militantë të përkrahur nga Irani kanë vënë në shënjestër objekte ushtarake të ShBA-së në Irak e Siri më shumë se 160 herë nga tetori, dhe disa ligjvënës republikanë kanë bërë thirrje që ShBA-ja të godasë brenda Iranit drejtpërdrejt për të dërguar një porosi të qartë, raporton televizioni CNN.
Megjithatë, sfida më e madhe tani për administratën e Bidenit është se si t’i kundërpërgjigjet sulmit me dron, që ishte më vdekjeprurësi ndaj forcave amerikane në rajon që nga bombardimi në Abbey Gate, kur ishin vrarë 13 pjesëtarë amerikanë në ditët e fundit të tërheqjes nga Afganistani – pa nxitur një luftë rajonale.
Muajve të fundit, ShBA-ja ka kryer disa sulme që në shënjestër kishin depo armësh të prokurave të Iranit në Irak e Siri. Deri më tani, asnjëri nga këto sulme nuk i ka frenuar militantët, nga 165 sulmet e të cilëve janë lënduar mbi 120 anëtarë të forcave amerikane në mbarë rajonin nga tetori.
Gjenerali i pensionuar, Mark Hertling, tha se vdekja e ushtarëve amerikanë “qartazi e ka kaluar vijën e kuqe të presidentit” dhe edhe zyrtarët, edhe analistët po presin një kundërpërgjigje më të fuqishme që nuk është domosdo e kufizuar në një shtet ose në një ditë. Sidoqoftë, zyrtarët kanë sugjeruar se ka pak gjasa që ShBA-ja të sulmojë brenda Iranit.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, ka thënë se mjedisi në Lindje të Mesme është aq i rrezikshëm sa ka qenë “të paktën nga viti 1973, dhe në mënyrë të diskutueshme edhe para atij viti”. Ai shtoi se kundërpërgjigjja e ShBA-së “mund të jetë shumështresëshe, të vijë në faza dhe të mbahet e vazhduar në kohë”.
Administrata e Bidenit mund të vendosë që përsëri të sulmojë grupe militante në Irak, Siri ose në të dyja këto shtete, dhe gjithashtu ta vërë në shënjestër udhëheqësinë e grupeve rajonale. Zyrtarët theksuan se një opsion tjetër është një ofensivë me sulm kibernetik.
Një zyrtar amerikan tha se ShBA-ja po tregon kujdes që të mos jetë shumë e saktësuar për prejardhjen e dronit ose për atë se cilët militantë e kanë hedhur atë, me qëllim që të ruhet një pjesë e befasisë, kur të vijë kundërpërgjigjja. Zyrtarët amerikanë kanë thënë vetëm që grupi i përkrahur nga Irani, Kataib Hezbollah, duket se e ka përkrahur sulmin. “Nuk do të heqim asgjë nga tavolina”- i tha televizionit CNN një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Prapëseprapë, sulmi ndaj Iranit është njëri nga opsionet me më së paku gjasa në këtë pikë, thanë zyrtarët. Zyrtarët e Bidenit thanë disa herë të hënën se ShBA-ja nuk dëshiron që të futet në luftë me Iranin, që me gjasë do të ishte rezultati i një sulmi amerikan brenda kufijve iranianë.
“Ne nuk kërkojmë një luftë me Iranin. Ne nuk po kërkojmë konflikt më të gjerë në Lindje të Mesme. Në të vërtetë, secili veprim që presidenti e ka ndërmarrë, është hartuar për të de-eskaluar, për t’u përpjekur që të ulen tensionet”- tha të hënën John Kirby, bashkërendues i komunikimeve strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli