“Kukull e Orbanit”: Kuvendi i Hungarisë e miraton ligjin për shkarkimin e presidentit
Kuvendi i Hungarisë të hënën miratoi një ndryshim kushtetues për shkarkimin e presidentit Tamas Sulyok, për të cilin kryeministri Peter Magyar thotë se është “kukull” e ish-kryeministrit Viktor Orban.
Legjislacioni është pjesë e synimit të Magyarit për t’i zhbërë bastionet e pushtetit të Orbanit dhe thotë se për këtë gjë ka marr mandat të fuqishëm nga votuesit. Partia Tisza e Magyarit i dha fund pushtetit 16-vjeçar të partisë nacionaliste të Orbanit, Fidesz, me një fitore bindëse në zgjedhjet e prillit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Do të ishte tradhti ndaj kombit hungarez, nëse ne nuk do ta preknim këtë kushtetutë” – tha Magyari para deputetëve para votimit të amendamentit, i cili mori 139 vota “për” dhe vetëm gjashtë “kundër” në institucionin me 199 ulëse.
“Ata [partia e Orbanit] e organizuan vendin në atë mënyrë që vullneti i një njeriu u bë burimi i punës legjislative... Partia Tisza fitoi një mandat të qartë e të madh prej dy të tretave për ta çmontuar këtë sistem” – shtoi ai.
Me këtë amendament mund t’i përfundohet menjëherë mandati presidentit Sulyok, duke e përmendur si arsye “humbjen serioze të besimit” të shoqërisë në të. Kuvendi parashihet se do të zgjedhë një president të ri derisa të hyjë në fuqi kushtetuta e re ose për më së shumti pesë vjet.
Kryeministri Magyar tha se, në vjeshtë, “një projekt i madh i përbashkët” me popullin hungarez do të fillojë që të hartojë një kushtetutë të re.
Nëse Sulyoku nuk e nënshkruan amendamentin e ri kushtetues brenda pesë ditëve, sipas Magyarit, Kuvendi do të nisë procedurë për shkarkimin e tij./Nacionale