KS i OKB-së me rezolutë për ‘armëpushim të menjëhershëm’ në Gaza, abstenon ShBA-ja
Për herë të parë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka votuar thirrjen për armëpushim në Gaza.
Në këtë seancë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë abstenuar, për dallim prej herave të tjera kur kanë përdorur veton.
Rezoluta që kaloi në KS të OKB-së, është shkruar nga dhjetë anëtarë të Këshillit dhe është propozuar nga përfaqësuesit e Mozambikut, shkruan The Guardian.
Rusia ka provuar të ndërhyjë në tekst, për ta modifikuar përmbajtjen e tij, sidomos në fjalën ‘e menjëhershme’, por ka dështuar.
Për këtë rezolutë, votuan 14 anëtarë të Këshillit të Sigurimit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, më herët ka kërcënuar me anulimin e një vizitë së një delegacioni në Uashington, nëse SHBA nuk do ta përdortte veton.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë para gazetarëve se qëndrimi amerikan ndaj kësaj rezolute, nuk nënkupton ‘ndërrimin e politikave’.
“Ne kemi qenë të qartë dhe kemi qenë konsistent në mbështetjen tonë për armëpushim si pjesë e marrëveshjes për pengjet. Kjo është mënyra se si është strukturuar marrëveshja. Ne kemi dashur të jemi në pozicion ku do ta mbështesnim këtë rezolutë por për shkak të tekstit të saj final, ajo nuk ka përfshirë çështjet kryesore që mendojmë se janë esenciale siç është për shembull dënimi i qartë i Hamasit”, tha Kirby.