Kryespiuni britanik u bën thirrje rusëve që të spiunojnë për Britaninë, optimist për Ukrainën - NACIONALE

Kryespiuni britanik u bën thirrje rusëve që të spiunojnë për Britaninë, optimist për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme, e njohur edhe si MI6, Richard Moore, shfrytëzoi një fjalim të rrallë në Pragë të mërkurën për t’u bërë thirrje rusëve që të spiunonin për Mbretërinë e Bashkuar.

Duke folur në kryeqytetin e Çekisë, Moore u bëri thirrje rusëve “që po luftojnë me vetëdijen e tyre” që të marrin pozicion kundër regjimit të Putinit dhe ua ofroi mundësinë që t’i ndajnë sekretet me inteligjencën britanike, raporton televizioni CNN.

“Ka shumë rusë sot që janë të tmerruar në mënyrë të heshtur nga pamja e forcave të tyre të armatosura duke i bërë pluhur qytetet ukrainase, duke dëbuar familje të pafajshme nga shtëpitë e tyre dhe duke rrëmbyer mijëra fëmijë”-tha zyrtari i lartë britanik.

“Ata po shikojnë të tmerruar, përderisa ushtarët e tyre po rrënojnë një shtet të afërm. Ata e dinë në zemrat e tyre se rasti i Putinit për të sulmuar një vend sllav mik është hileqar”- shtoi ai.

Moore tha se është optimist që Ukraina do të ngadhënjejë në luftën e saj kundër Rusisë, forcat e së cilës kanë humbur momentum në fushën e betejës.

Sipas tij, Ukraina ka rikthyer më shumë territor për një muaj se që rusët kanë arritur të kapin për një vit dhe se duket që ka pak mundësi për rifitimin e momentumit nga forcat ruse.

Do t’i përkasë Kievit për ta përcaktuar fundin e luftës, shtoi Moore, sepse “shumica e konflikteve përfundojnë me ca lloje bisedimesh”, sipas tij.

Komentet e tij erdhën në kohën e kundërsulmit të forcave ukrainase. Që nga fillimi i nismës në qershor, luftimet kanë dalë më të vështira se që ishte vlerësuar dhe përparimi po matet me qindra metra e jo me dhjetëra kilometra.

Lajme të ngjashme