Kryeprokurorja e Izraelit urdhëron hetim kundër Sara Netanyahut
Kryeprokurorja e Izraelit, Gali Baharav-Miara, të enjten e urdhëroi policinë për ta hetuar bashkëshorten e kryeministrit Benjamin Netanyahu, Sara Netanyahu, pasi në një raport hulumtues javën e kaluar supozohej se ajo ishte munduar që të frikësonte një dëshmitar dhe të ndërhynte në një rast gjyqësor për korrupsion kundër burrit të saj.
Njoftimi, të cilin e dënuan shpejt aleatët e kryeministrit, erdhi disa orë pasi kryeministri publikoi një video 4-minutëshe kundër mediave, të cilat i akuzoi për përhapje të “shpifjeve të gjakut” për bashkëshorten e tij, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në një deklaratë të shkurtër ku nuk u përmend Sara Netanyahu me emër, kryeprokurorja Bahrav-Miara dhe prokurori shtetëror Amit Aisman thanë se ajo duhet të hetohet nën dyshimin për frikësim të dëshmitarit dhe pengim të drejtësisë.
“Një hetim duhet të hapet për frikësimin e dyshimtë të një dëshmitari dhe për pengim të drejtësisë në rrjedhën e gjykimit [të kryeministrit], duke i marrë parasysh të gjeturat e programit “Uvda”, thuhet në deklaratë, duke iu referuar programit të televizionit “Channel 12”, ku u publikua raporti hulumtues.
Ky televizion raportoi të enjten se hetimi i planifikuar kundër bashkëshortes së Netanyahut do të trajtohet nga njësiti policor për krime serioze, Lahav 433. Një burim policor i cituar nga gazeta “Haaretz” tha se autoritetet e sundimit të ligjit do të kërkojnë qasje në telefonin e dëshmitarit që dyshohet se është frikësuar dhe ka gjasa që të njëjtën kërkesë do ta bëjnë edhe për telefonin e Netanyahut. Burimi shtoi se Netanyahu me gjasë do të merret në pyetje, por jo në aspektin afatshkurtër.