Kryeministrja estoneze e quan Bjellorusinë bashkagresore me Rusinë - NACIONALE

Kryeministrja estoneze e quan Bjellorusinë bashkagresore me Rusinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, tha të mërkurën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, se aleatët evropianë duhet ta fuqizojnë gatishmërinë e tyre për mbrojtje kundër Rusisë dhe Bjellorusisë.

Kur u pyet nëse mercenarët e grupit "Wagner" në Bjellorusi paraqesin rrezik për Estoninë, zonja Hallas tha: "Ne e kemi konsideruar Bjellorusinë si bashkagresore këtu. Pra ata kanë qenë duke punuar së bashku me Rusinë tërë kohën. Pra ajo që e dimë për Rusinë dhe Bjellorusinë është që ato janë të paparashikueshme dhe janë të rrezikshme dhe kjo nuk ka ndryshuar."

"Fuqizimi i industrisë së mbrojtjes dhe i gatishmërisë sonë të mbrojtjes në këtë aspekt janë gjërat më të rëndësishme. Mua më duket se mund të ekzistojë ndjenja në mesin e disave që kanë fqinj shumë më të mirë se ne që e tërë kjo thjesht do të largohet, por ajo do të jetë këtu për kohë të gjatë dhe ne duhet t'i ndërmarrim hapat e nevojshmë për atë"- shtoi kryeministrja estoneze.

Zonja Kallas tha se Estonia është e përkushtuar që ta ndihmojë rindërtimin e Ukrainës dhe se udhëheqësit rusë duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre, raporton televizioni CNN.

"Ukraina është viktima e luftës ruse dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare, duhet të dëmshpërblehet nga Rusia. Na nevojitet një zgjidhje që do të na e lejonte përdorimin e pasurive të ngrira ruse, të cilat janë konfiskuar me saksionet nga qytetarët dhe kompanitë ruse për t'i mbuluar dëmet. Qeveria ime është duke punuar edhe në një draft ligjor për ta bërë këtë, por na duhet një zgjidhje evropiane"- shtoi ajo.

Duke folur krahas kryeministres Kallas, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se boshllëqet ndërkombëtare duhet të mbyllen dhe sanksionet ndaj Rusisë duhet të shtohen.

Lajme të ngjashme