Kryeministri sllovak Fico realizon vizitë të befasishme në Moskë - NACIONALE

Kryeministri sllovak Fico realizon vizitë të befasishme në Moskë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka realizuar një vizitë të befasishme në Moskë për të zhvilluar bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, duke u bërë vetëm udhëheqësi i tretë perëndimor që takohet me kreun e Kremlinit që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës para gati tre vjetëve.

Fico, kritikues i zëshëm i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Ukrainën gjatë luftës, tha se me Putinin diskutoi për dërgesat e gazit rus në Sllovaki, në të cilat vendi i tij mbështetet, raporton televizioni BBC.

Një marrëveshje me gjigantin rus të gazit, “Gazprom”, për kalimin e gazit transit nëpër Ukrainë për në Sllovaki do të skadojë në fund të këtij viti.

“Zyrtarët e lartë të BE-së ishin të njoftuar për udhëtimin tim dhe qëllimin e tij… të premten” – shkroi kryeministri sllovak në rrjetin “Facebook”.

Fico tha se takimi në Moskë ishte reagim ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili udhëheqësve të BE-së u ka thënë se Ukraina mbetet kundër kalimit të gazit rus nëpër territorin e saj.

Kryeministri sllovak, i cili i mbijetoi një vrasjeje në tentativë më herët këtë vit, gjithashtu tha se zhvilloi një “bisedë të gjatë” me Putinin dhe se dy udhëheqësit “shkëmbyen pikëpamje rreth situatës ushtarake në Ukrainë”.

Fico e Putini diskutuan për “mundësinë për një përfundim të hershëm e paqësor të luftës” dhe për marrëdhëniet reciproke mes Rusisë e Sllovakisë, sipas shkrimit të kryeministrit sllovak në rrjete sociale.

Sllovakia dhe Hungaria, të cilat varen nga gazi rus, kanë ngritur shqetësime për mundësinë që dërgesat të pengohen.

Në tetorin e vitit 2023, kur Fico u bë përsëri kryeministër i vendit, i dha fund mbështetjes ushtarake të Sllovakisë për Ukrainën. Sidoqoftë, ai ka këmbëngulur se dëshiron që vendi i tij të jetë “fqinj i mirë e miqësor” me Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme