Kryeministri polak shpreson për paqe në Ukrainë brenda javësh - NACIONALE

Kryeministri polak shpreson për paqe në Ukrainë brenda javësh

2 javë më parë

nga NACIONALE

Paqja mund të arrihet në Ukrainë brenda javësh falë garancive amerikane të sigurisë, edhe pse suksesi ende është “larg të qenët 100 për qind i sigurt”, tha të martën kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.

Ai gjithashtu dha shenjë për mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në vijën e kontaktit mes Ukrainës e Rusisë, por nuk dha hollësi për një propozim të tillë dhe Shtëpia e Bardhë nuk i komentoi menjëherë deklaratat e tij, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tusku është kritikues i ashpër i Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, por komentet e tij pasqyruan një përgjigje positive nga udhëheqësit evropianë ndaj bisedimeve të së dielës mes presidentëve Donald Trump të Shteteve të Bashkuara e Volodymyr Zelensky të Ukrainës, në të cilat ky i dyti tha se ishte arritur marrëveshje për garancitë e sigurisë për Kievin.

“Paqja është në horizont, nuk ka dyshim se kanë ndodhur gjëra që japing bazë për shpresë se kjo luftë mund të përfundojë dhe goxha shpejt, por ende është shpresë, larg nga të qenët 100 për qind e sigurt” – tha Tusku në një takim qeveritar të vendit të tij pas bisedimeve me aleatë.

“Kur them se paqja është në horizont, po flas për javët në vijim, jo muajt apo vitet. Në janar, ne do të duhet të bëhemi bashkë… të marrim vendime për të ardhmen e Ukrainës, për të ardhmen e kësaj pjese të botës” – shtoi ai.

Trumpi tha të dielën se ai dhe Zelensky ishin “ndoshta shumë afër” një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, edhe pse mbeten ende disa çështje “me gjemba”. Ai ishte më i matur se Zelensky sa u përket garancive të sigurisë.

“Rezultati kyç i ditëve të fundit është deklarata amerikane… e gatishmërisë për të marrë pjesë në garanci të sigurisë për Ukrainën pas një pakti të paqes, përfshirë praninë e trupave amerikane, për shembull, në kufi ose në vijën e kontaktit mes Ukrainës e Rusisë” – tha kryeministri polak.

“Ne do të shohim se sa konsistentë do të jenë partnerët tanë matanë Atlantikut, por kjo jep shpresë për një rezultat të suksesshëm” – shtoi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme