Kryeministri përdor autoritet të posaçëm për buxhetin, Qeveria e Francës buzë rrëzimit
Qeveria e pakicës në Francë është buzë rënies, pasi kryeministri Michel Barnier përdori kompetenca të posaçme për ta çuar përpara buxhetin pa votat e deputetëve.
Partitë e zemëruara opozitare thanë se do të përkrahnin një mocion mosbesimi për ta rrëzuar ish-negociuesin e Brexit-it përmes votimit që mund të ndodhë jo më vonë se të mërkurën, raporton televizioni BBC.
Kryeministri vendosi që t’i çonte përpara reformat kundërthënëse në sigurinë sociale përmes aktivizimit të dekretit presidencial, pasi dështoi që të fitonte përkrahje të mjaftueshme për këto masa.
Një deputet francez i krahut të majtë i tha televizionit BBC se ky veprim e ka lënë Francën në “krizë të thellë e të madhe politike”.
Franca është ballafaquar me paqartësi politike që nga koha kur presidenti Emmanuel Macron i shpalli zgjedhjet e parakohshme verës, të cilat rezultuan në një përbërje të përzier në Kuvend, ku asnjë parti nuk ka shumicë absolute të ulëseve.
Një aleancë majtiste fitoi më së shumti ulëse, ndërsa konservatori Barnier, i emëruar nga Macroni për t’i sjellë stabilitet Qeverisë, vazhdimisht është ballafaquar me kërcënimin me mocion mosbesimi për ta rrëzuar nga pushteti.
Përderisa Barnieri bëri lëshime të minutës së fundit rreth projektligjit për financimin e sigurisë sociale – me të cilin synohet frenimi i deficitit të Francës – përpjekjet e tij qenë të pamjaftueshme për ta siguruar numrin e nevojshëm të votave nga deputetët.
Duke qenë i sigurt se Asambleja Kombëtare do ta hidhte poshtë projektligjin, ai i përdori kompetencat sipas Nenit 49.3 të Kushtetutës së Francës për ta çuar përpara legjislacionin.
“Nuk mendoj se populli francez do të na falë që i kemi zgjedhur interesat e partisë para të ardhmes së vendit. Tani, secili do të duhet që ta marrë përgjegjësinë e vet, siç e kam marrë unë timen” – tha kryeministri të martën para deputetëve, përderisa i shpjegoi arsyet për vendimin e tij.
Pothuajse menjëherë, partia majtiste opozitare, LFI, dhe partia e së djathtës ekstreme e zonjës Marine Le Pen, Tubimi Kombëtar, thanë se do të paraqisnin mocion mosbesimi./Nacionale