Kryeministri kanadez e kritikon Britaninë pse e ftoi Trumpin për vizitë - NACIONALE

Kryeministri kanadez e kritikon Britaninë pse e ftoi Trumpin për vizitë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, e ka kritikuar ftesën e Britanisë për presidentin amerikan, Donald Trump, për vizitën e dytë shtetërore, duke thënë se ajo e minon përpjekjen e Qeverisë kanadeze për të projektuar një front të bashkuar kundër idesë së amerikanit për aneksimin e Kanadasë.

Që nga rikthimi në pushtet në janar, Trumpi në mënyrë të përsëritur ka thënë se dëshiron që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara, deklaratë që i ka zemëruar kanadezët dhe e ka lënë Britaninë në përpjekje për të gjetur një baraspeshë mes dy vendeve të Amerikës së Veriut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Carney, në një intervistë me televizionin “Sky News”, u pyet rreth veprimit të kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili gjatë vizitës së tij në shkurt në Zyrën Ovale i dorëzoi Trumpit një ftesë nga mbreti Çarls për një vizitë të dytë të pashembullt shtetërore në Londër.

“Të jem i sinqertë, mendoj se ata (kanadezët) nuk ishin të ngazëllyer nga ai gjest… duke e marrë parasysh rrethanën. Ishte në një kohë kur ne ishim duke qenë goxha të qartë për çështjet rreth sovranitetit” – tha ai.

Starmer, i cili po mundohet që t’i përmirësojë lidhjet tregtare me Shtetet e Bashkuara pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, është përpjekur që të luajë sipas fuqisë së vendit të tij në raport me Trumpin, duke e përmendur ekspertizën britanike në fushën e sigurisë e duke u zotuar për rritje të shpenzimeve në mbrojtje.

Trumpi, nëna e të cilit është lindur në Britani dhe i cili vazhdimisht e ka vlerësuar lart familjen mbretërore britanike, këtë muaj u pajtua me Britaninë për një marrëveshje të kufizuar tregtare.

Lajme të ngjashme