Kryeministri i Kinës paraqet në Davos plan 5-pikësh për rindërtimin e besimit - NACIONALE

Kryeministri i Kinës paraqet në Davos plan 5-pikësh për rindërtimin e besimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kinës, Li Qiang, tha të martën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës se ai ka një plan 5-pikësh për ta rindërtuar besimin.

Sipas tij, pika e parë e planit është që të fuqizohet bashkërendimi i politikave makro-ekonomike për të krijuar sinergji më të mirë dhe, rrjedhimisht, rritje më të shpejtë, raporton gazeta “The Guardian”.

Qiangu paralajmëroi se për shkak që ekonomitë janë më të lidhura mes vete sot, atëherë ka më shumë efekte që përhapen. Prandaj, ai mendon se nëse ndaj krizave ka “reagime të ndara”, ekonomia botërore do të jetë më e brishtë.

Pika e dytë e planit ka të bëjë me fuqizimin e specializimit dhe bashkërendimit industrial ndërkombëtar për t’i mbajtur zinxhirët furnizues “të qëndrueshëm e të qetë”.

Kryeministri kinez përmendi shifra që tregonin se 5.400 masa të reja diskriminuese tregtare ishin marrë nga viti 2020 deri më 2023, gati dyfish më shumë se para pandemisë.

Në pikën e tretë të planit të Qiangut është fuqizimi i bashkëpunimit në fushën e inovacionit. Sipas tij, shtetet duhet të punojnë së bashku për mjedis të hapur e të drejtë për shkencën e teknologjinë në mënyrë që të ngadhënjejë inovacioni.

Pika e katërt është për fuqizimin e bashkërendimit për zhvillimin e gjelbër për t’iu kundërvënë më mirë ndryshimeve klimatike. Kryeministri kinez e kritikoi vendosjen e pengesave ndaj tregtisë së gjelbër.

Në pikën e fundit të planit të tij përmendet fuqizimi i bashkëpunimit veri – jug e jug – jug për të ndërtuar ekonomi botërore më gjithëpërfshirëse.

Qiangu paralajmëroi se problemet si dallimet në teknologji janë bërë më akute viteve të fundit. Sipas tij, zhvillim i vërtetë është zhvillimi për të gjithë dhe se bota duhet ta zbatojë plotësisht agjendën e OKB-së për zhvillim të qëndrueshëm.

Lajme të ngjashme