Kryeministri i Grenlandës do të takohet me Mbretin e Danimarkës pas komenteve të Trumpit - NACIONALE

Kryeministri i Grenlandës do të takohet me Mbretin e Danimarkës pas komenteve të Trumpit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Grenlandës, Bourup Edege, do të takohet me Mbretin Frederik X të Danimarkës në Kopenhagë të mërkurën, pasi presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, tha se dëshiron që ta marrë kontrollin e ishullit gjigant, që është territor autonom i Danimarkës.

Trumpi, që do të vijë në pushtet më 20 janar, tha të martën se nuk do ta përjashtonte përdorimin e veprimeve ushtarake ose ekonomike për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Ditën e njëjtë, djali i madh i tij, Donald Trump Jr., realizoi një vizitë private në Grenlandë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kryeministri i Grenlandës, udhëheqës i një partie majtiste që e mbështet pavarësinë e plotë të ishullit nga Danimarka në të ardhmen, arriti në Kopenhagë të martën vonë për një vizitë të planifikuar.

Ai kishte njoftuar para nisjes se një takim me Mbretin Frederik, i planifikuar për të mërkurën, ishte shtyrë pa shpjegim, por oborri mbretëror danez tha se takimi do të zhvillohej, pa dhënë hollësi të mëtejme.

Grenlanda, ku banojnë vetëm rreth 57 mijë njerëz, ka qenë pjesë e Danimarkës për 600 vjet dhe tani i kontrollon shumicën e punëve të brendshme të saj si territor gjysmë-sovran nën Mbretërinë e Danimarkës. Marrëdhëniet e Grenlandës me Danimarkën kohëve të fundit kanë qenë të tensionuara për shkak të akuzave për keqtrajtim historik të banorëve të ishullit nën sundimin kolonialist.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha të martën se nuk mund të imagjinonte që ambiciet e Trumpit do të çonin në ndërhyrje ushtarake të ShBA-së në Grenlandë.

Danimarka është përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e Grenlandës, por kapacitetet e saj ushtarake janë të kufizuara në katër anije inspektuese, një aeroplan vëzhgues “Challenger” dhe në patrulla me qerre që tërhiqen nga qentë.

Duke e komentuar kërcënimin e Trumpit për taksa kundër Danimarkës, zonja Frederiksen tha se nuk mendon që një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara është rrugë e mirë për t’u ndjekur.

Në Danimarkë e ka bazën kompania me vlerën më të lartë në Evropë, “Novo Nordisk”, e cila e prodhon ilaçin për humbje të peshës, “Wegovy”, që është bërë shumë i popullarizuar në ShBA./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme