Kryeministri britanik kundër ndalimit të plotë të shitjes së armëve në Izrael - NACIONALE

Kryeministri britanik kundër ndalimit të plotë të shitjes së armëve në Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të hënën se nuk do ta ndalojë plotësisht shitjen e armëve në Izrael, duke kundërshtuar troç një thirrje në Kuvend që ai të merrte masë të tillë.

Në një pyetje në njëvjetorin e sulmit në Izrael më 7 tetor nga Hamasi, deputetja Zarah Sultana pyeti nëse kryeministri Starmer “përfundimisht do ta bënte atë që është e duhur ligjërisht dhe moralisht dhe t’i jepte fund bashkëfajësisë së Qeverisë në krimet izraelite të luftës duke i ndaluar të gjitha shitjet e armëve në Izrael, përfshirë aeroplanët luftarakë F-35, jo vetëm 30 licenca”.

“Jo” – u përgjigj troç kryeministri britanik. “Por kjo është një pikë shumë serioze. Ndalimi i të gjitha shitjeve do të nënkuptonte asnjë për qëllime të mbrojtjes” – shtoi ai, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Asnjë për qëllime të mbrojtjes në përvjetorin e 7 tetorit dhe [disa] ditë pas një sulmi të madh nga Irani në Izrael do të ishte pozicion i gabuar për këtë qeveri dhe unë nuk do ta marr atë” – tha më tej kryeministri majtist.

Në shtator, Britania tha se do të pezullonte menjëherë dhjetëra licenca për eksportimin e armëve me Izraelin për shkak të rrezikut që pajisjet të përdoreshin për të kryer shkelje të ndryshme të së drejtës humanitare ndërkombëtare, por shtoi se vendimi nuk përbënte ndalim të plotë ose embargo armësh.

Lajme të ngjashme