Kryediplomatja Kallas e BE-së: Rusia kërcënim ekzistencial, duhet të përgatitemi për luftë - NACIONALE

Kryediplomatja Kallas e BE-së: Rusia kërcënim ekzistencial, duhet të përgatitemi për luftë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke paraqitur kërcënim ekzistencial ndaj sigurisë së Bashkimit Evropian dhe mënyra e vetme për ta adresuar këtë është rritja e shpenzimeve në mbrojtje, tha të mërkurën shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke shtuar se blloku i kishte ofruar Rusisë alternativa për një kohë shumë të gjatë.

“Rusia paraqet një kërcënim ekzistencial ndaj sigurisë sonë sot, nesër dhe për aq gjatë sa ne investojmë pak në mbrojtjen tonë” – tha ajo gjatë një fjalimi në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA), raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Njerëzit thonë se unë jam “skifter kundër Rusisë”. Mendoj se unë thjesht jam realiste rreth Rusisë” – shtoi zonja Kallas.

Njëra nga kundërshtaret më të zëshme të presidentit rus, Vladimir Putin, gjithashtu pranoi se presidenti i ri amerikan, Donald Trump, ka të drejtë që thotë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk shpenzojnë mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes.

Trumpi tha më herët këtë muaj se shtetet e NATO-s duhet të shpenzojnë 5 për qind të prodhimit vendës bruto në mbrojtje – rritje e madhe nga synimi i tanishëm prej 2 për qind dhe një nivel që asnjë shtet i NATO-s, pra as ShBA-ja, tani për tani nuk e arrin.

“Koha nuk është në anën e Rusisë, por nuk është patjetër as në anën tonë, sepse ne ende nuk jemi duke bërë mjaftueshëm. Nuk duhet të ketë dyshim në asnjërën prej mendjeve tona se ne duhet të shpenzojmë më shumë për ta parandaluar luftën, por ne gjithashtu duhet të përgatitemi për luftë” – paralajmëroi zyrtarja e lartë e BE-së.

Lajme të ngjashme