Kryediplomatja e BE-së propozon lehtësimin të mëtejmë të sanksioneve ndaj Sirisë - NACIONALE

Kryediplomatja e BE-së propozon lehtësimin të mëtejmë të sanksioneve ndaj Sirisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka propozuar lehtësim të mëtejmë të sanksioneve evropiane ndaj Sirisë për të lejuar fonde për ministritë siriane në disa fusha, përfshirë rindërtimin dhe migracionin, sipas një dokumenti që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

Kjo lëvizje vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se do ta urdhërojë heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së pritet t’i diskutojnë marrëdhëniet me Damaskun në një takim në Bruksel javën e ardhshme.

Bashkimi Evropian tashmë i ka lehtësuar sanksionet ndaj Sirisë që lidhen me energjinë, transportin dhe rindërtimin, si dhe sanksionet që lidhen me transaksionet financiare, por disa shtete anëtare kanë bërë thirrje për lehtësim të mëtejmë që të ndihmohet tranzicioni më i lehtë në Siri.

Pas takimit me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, këtë muaj në Paris, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij do të punojë që BE-ja t’u japë fund sanksioneve, kur ato të shqyrtohen për përtëritje të afatit.

Grupi i sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë që nga viti 2013 përtërihen për çdo vit më 1 qershor.

Banka Botërore ka vlerësuar se rindërtimi i Sirisë do të kushtojë më shumë se 250 miliardë dollarë. Autoritetet e reja siriane kanë lobuar te shtetet evropiane për lehtësim të sanksioneve të ashpra perëndimore, të cilat ishin vendosur kundër regjimit të ish-presidentit Bashar al-Assad.

Sipas propozimit të ri, i cili e mban datën 14 maj, Bashkimi Evropian do t’u lejonte shteteve anëtare që të ofrojnë fonde për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme të Sirisë për bashkëpunim “në fushat e rindërtimit, ndërtimit të kapaciteteve, kundër-terrorizmit dhe migracionit”, thuhet në dokument.

Një dispozitë e posaçme do t’u lejonte shteteve të BE-së më shumë hapësirë për manovrim gjatë trajtimit të entiteteve shtetërore siriane, kur bëhet fjalë për shkatërrimin e armëve kimike.

Propozimi i ri do t’ia hiqte sanksionet Bankës Komerciale të Sirisë, por do të mbaheshin në fuqi masat që i kanë në shënjestër individët e lidhur me ish-administratën e Assadit./Nacionale

Lajme të ngjashme